Sht. Maj 23rd, 2026

Ukrainasit godasin një fabrikë të madhe kimike në Rusi, ndalet prodhimi në uzinë

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka kryer një sulm ndaj një prej objekteve më të mëdha industriale kimike në Rusi, fabrikës “Metafrax Chemicals”, e cila ndodhet në rajonin e Krai i Permit, rreth 1700 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Sipas burimeve ukrainase, objekti i goditur është një komponent i rëndësishëm i zinxhirit industrial që furnizon materiale të përdorura në sektorë strategjikë, përfshirë aviacionin, prodhimin e dronëve, motorët e raketave dhe eksplozivët.

Këto produkte kanë rëndësi të veçantë në industrinë ushtarake, duke e bërë fabrikën një objekt me vlerë të lartë strategjike.

Raportohet se pas sulmit, aktiviteti prodhues në fabrikë është ndërprerë plotësisht.

Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim të pavarur mbi shkallën e dëmit apo kohëzgjatjen e ndalimit të prodhimit. Autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende një deklaratë të detajuar mbi incidentin.

Ngjarja vjen në kuadër të një serie goditjesh dhe operacionesh të ndërsjella mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa lufta vazhdon të ndikojë jo vetëm në vijat e frontit, por edhe në infrastrukturën industriale dhe energjetike të të dy vendeve.

Postime të Ngjashme