Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë janë kujdesur që ta përkujtojnë sot rreshtetin policor kosovar, Afrim Bunjkaun, dhe ta ridënojnë sulmin e armatosur në Banjskë, ku ai u vra.
Në postimin e shoqëruar edhe me homazhet e ambasadorit, Reiner Rudolph te varri I heroit, përfaqësia gjermane, ripërsëriti qëndrimin për dënimin e Milan Radoiçiqit, njeriut që e mori përsipër përgjegjësinë për sulmin.
“Sot shënojmë trevjetorin e vrasjes së zyrtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut. Lideri i vetdeklaruar i sulmit, ende nuk ka dhënë llogari. Është prioritet që drejtësia të vihet në vend, pa asnjë vonesë,” shkroi ambasada gjermane në llogarinë zyrtare të saj në Facebook.
Edhe ambasada amerikane e shoqëroi reagimin me një fotografi të varrit të Bunjakut, duke kërkuar drejtësi për të dhe Kosovën.
“Ne e ripërsërisim thirrjen tonë që kryesit (e sulmit) të mbahen në përgjegjësi”, thuhet në postimin e kësaj ambasade.
Ndërsa, përfaqësia e Mbretërisë së Bashkuar, duke rikujtuar se Bunjaku e humbi jetën në shërbim të vendit të tij, shprehu nderimin për “guximin dhe profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës në reagimin ndaj sulmit dhe në rivendosjen e sigurisë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të prokurorëve të Kosovës për të vënë drejtësinë në vend”.
Edhe kjo ambasadë këmbëngulë se llogaridhënia mbetet thelbësore.
“Personat përgjegjës, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë përballur me drejtësinë. U bëjmë sërish thirrje autoriteteve serbe që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që autorët të mbajnë përgjegjësi pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në reagimin e kësaj përfaqësie.

