Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 që rregullonin përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke vlerësuar se ato nuk kishin mbështetje të mjaftueshme ligjore.
Sipas një njoftimi të Gjykatës Supreme, Kolegji i Gjykatës ka aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë e Organizatës Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Institutit “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Me aktgjykim, Gjykata ka shfuqizuar paragrafin 1, paragrafin 3 dhe paragrafin 4 të nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, ndërsa ka lënë në fuqi paragrafin 2 të të njëjtit nen.
Gjykata konstatoi se Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligji për Automjete nuk parashohin ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave me xhama të errësuar. Sipas vlerësimit të saj, legjislacioni aktual lejon modifikime në automjete, përderisa ato kalojnë procedurat e verifikimit teknik dhe atestimit sipas standardeve ligjore.
Sipas Gjykatës Supreme, dispozitat e shfuqizuara krijonin kufizime të reja që nuk ishin të parapara nga ligji. Në veçanti, paragrafi 1 lejonte xhamat e errët vetëm nëse ishin të instaluar nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në automjete.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se paragrafi 4, i cili parashihte mundësinë e përjashtimeve me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, nuk mund të mbetej në fuqi pasi ishte i lidhur drejtpërdrejt me ndalimin që u shpall i paligjshëm.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të vendosur ndalime apo kufizime të reja pa autorizim të qartë ligjor.
Ndërkohë, paragrafi 2 i nenit 7 mbetet në fuqi, pasi sipas Gjykatës ai ka karakter teknik dhe administrativ, duke rregulluar evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit, pa vendosur kufizime që bien ndesh me ligjin.

