Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë ka vendosur për kërkesën referuese të Pjetër Shalës, duke i shpallur të papranueshme ankesat e tij, ndërsa ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në komunikatën për shtyp, Gjykata Speciale ka dhënë hollësi për vendimin dhe arsyetimin e dhomës.
Komunikata e plotë:
DHOMA E SPECIALIZUAR E GJYKATËS KUSHTETUESE VENDOS MBI KËRKESËN REFERUESE TË PJETËR SHALËS
Më 23 tetor 2026, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese lëshoi Aktgjykimin mbi Kërkesën Referuese të paraqitur nga Pjetër Shala, me të cilin i deklaroi një pjesë të ankesave të tij të papranueshme, ndërsa për pjesën tjetër konstatoi se nuk kishte pasur asnjë shkelje të Kushtetutës së Kosovës, të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, apo të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.
Z. Shala kishte ngritur pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij individuale në kuadër të procesit penal kundër tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në veçanti, z. Shala u ankua se koha që kishte kaluar mes krimeve të paraqitura në Aktakuzë dhe gjykimit të tij, kishte dëmtuar drejtësinë e procesit penal. Dhoma e Gjykatës Kushtetuese i konstatoi disa pjesë të ankesës të papranueshme për arsye se nuk ishin shteruar të gjitha mjetet juridike të disponueshme. Për pjesën tjetër, ajo konstatoi se z. Shala kishe përfituar nga një proces gjyqësor ballafaques dhe se procesi, si i tërë, kishte qenë i drejtë dhe joarbitrar. Për këto arsye, ajo e deklaroi ankesën të papranueshme.
Z. Shala u ankua gjithashtu se pranimi dhe përdorimi në gjykim i deklaratave që ai i kishte dhënë më parë Tribunalit Penal për Ish-Jugosllavinë dhe Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, të cilat u morën kur ai u pyet si i dyshuar dhe pa pasur përfaqësues ligjor, kishin shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë. Dhoma e Gjykatës Kushtetuese i gjykoi disa aspekte të ankesës të papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike. Sa i përket pjesës tjetër, duke zbatuar standardin e përgjithshëm të drejtësisë në administrimin e provave, Dhoma konstatoi se zotit Shala i ishin dhënë mundësi të shumta për të kundërshtuar deklaratat dhe përdorimin e tyre, dhe se kundërshtimet e tij ishin trajtuar siç duhet nga panelet penale. Ajo vuri në dukje gjithashtu se një nga deklaratat nuk u përdor në gjykim, ndërsa të tjerat nuk kishin qenë vendimtare në shpalljen e z. Shala fajtor. Për këtë arsye, ajo e deklaroi ankesën të papranueshme.
Z. Shala u ankua gjithashtu se shpallja e tij fajtor kishte shkelur parimin e ligjshmërisë, me pretendimin se ndërmarrja kriminale e përbashkët si formë e përgjegjësisë penale dhe krimi i luftës i ndalimit arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar nuk ishin të parapara me ligj ose mjaftueshmërisht të parashikueshme dhe të disponueshme për të në kohën përkatëse. Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se forma bazë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishte formë përgjegjësie e njohur sipas së drejtës zakonore ndërkombëtare në kohën e kryerjes së veprave penale dhe se edhe krimi i luftës i ndalimit arbitrar kishte bazë mjaftueshmërisht të qartë në të drejtën zakonore ndërkombëtare. Në lidhje me këtë, ajo konstatoi më tej se burimet ligjore relevante ishin të disponueshme shumë më përpara kryerjes së krimeve dhe se për z. Shala ishte e parashikueshme që mund të mbahej penalisht përgjegjës mbi ato baza. Për këto arsye, Dhoma konstatoi se nuk kishte pasur shkelje të parimit të ligjshmërisë.
Z. Shala u ankua më tej se në akuzat kundër tij nuk identifikoheshin mjaftueshëm anëtarët e ndërmarrjes kriminale të përbashkët dhe nuk specifikohej numri dhe identiteti i viktimave, duke i hequr atij të drejtën e njoftimit efektiv për akuzat dhe mundësinë e njëmendtë për të organizuar mbrojtjen e vet. Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se në akuza jepej informacion i mjaftueshëm që i mundësonte z. Shala t’i kuptonte ato dhe të përgatiste mbrojtjen e tij. Ajo vuri në dukje se përmes akuzave ai ishte njoftuar se ndërmarrja kriminale e përbashkët përfshinte edhe anëtarë të tjerë përveç atyre të përmendur me emër, dhe se z. Shala kishte marrë hollësi të mëtejshme për numrin dhe identitetin e viktimave shumë kohë përpara se të fillonte gjykimi. Për këtë arsye, ajo e deklaroi ankesën të papranueshme.
Së fundi, z. Shala u ankua se në zbatimin e shkallëzimit të dënimeve sipas Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në vend të ligjeve në fuqi në Kosovë në kohën përkatëse, panelet penale shkelën parimin e ligjshmërisë. Ai u ankua më tej se dënimi që iu dha shkelte parimin e barazisë para ligjit dhe ishte i tepruar krahasuar me dënimet e dhëna në çështje të ngjashme. Dhoma e Gjykatës Kushtetuese e deklaroi këtë të fundit të papranueshme për arsye të mosshterimit të mjeteve juridike. Ndërsa në lidhje me të parën, ajo rikujtoi se Dhomat e Specializuara funksionojnë në përputhje me kornizën ligjore të tyre brenda sistemit të drejtësisë të Kosovës dhe se i vetmi ligj i detyrueshëm që zbatohet për dënimet në Dhomat e Specializuara është Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, sipas të cilit, kur vendosin dënimet për krime ndërkombëtare, panelet penale nuk janë të detyruara të zbatojnë ligje të tjera të Kosovës, por vetëm t’i mbajnë parasysh ato. Rrjedhimisht, ajo e deklaroi ankesën të papranueshme.

