Mar. Tet 13th, 2026

Sot mbildhen disa komisione parlamentare, në fokus ndryshimet buxhetore per vitin 2026

Disa komisione parlamentare të Kuvendit, do të zhvillojnë sot mbledhje, ku ndër çështjet kryesore do të jenë ndryshimet e propozuara në buxhetin e vitit 2026, planet e punës dhe temat që lidhen me përgjegjësitë e tyre.

Në orën 10:00, Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini do të trajtojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, sa u përket fushave në kompetencë të tij.

Në të njëjtën kohë, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të diskutojë planin e punës për sesionin vjeshtor të vitit 2026. Ndërkaq, Komisioni për Shëndetësi do të merret me miratimin e fushëveprimit të tij.

Mbledhje në orën 11:00 do të mbajë edhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i cili do të shqyrtojë projektligjin që parasheh ndryshime dhe plotësime në ndarjet buxhetore për vitin 2026. Në orarin e njejtë, Komisioni për Buxhet shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Në orën 13:00, edhe tri komisione të tjera do të shqyrtojnë ndryshimet e propozuara buxhetore për vitin 2026 në fushat përkatëse.

Bëhet fjalë për Komisionin për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport; Komisionin për Arsim dhe Shkencë; si dhe Komisionin për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Ndërsa në orën 14:00 Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese shqyrton publikimin e thirrjes/ftesës publike për zgjedhjen dy (2) gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Postime të Ngjashme