Kombëtarja e Kosovës përballet sonte me Izraelin në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndeshja zhvillohet në “Nagyerdei Stadion” të Debrecenit, në Hungari, dhe nis në orën 20:45.
Dardanët hyjnë në këtë përballje me tri pikë të grumbulluara pas dy ndeshjeve. Ata e nisën garën me fitore 1:0 ndaj Irlandës, ndërsa në ndeshjen e dytë u mposhtën 3:1 nga Austria në Vjenë.
Përzgjedhësi Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, ndërsa skuadra ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja. Në kampin kosovar atmosfera është raportuar e mirë, ndërsa synimi është të merret një rezultat pozitiv ndaj Izraelit.
Izraeli, i cili për shkak të situatës së sigurisë i zhvillon ndeshjet si vendas në terrene neutrale, është ende pa pikë në grup pas dy ndeshjeve. Kosova dhe Irlanda kanë nga tri pikë, ndërsa Austria kryeson me gjashtë.

