Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos i është përgjigjur skepticizmit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Nga universiteti i Friburg në Zvicër, Kos deklaroi se për Shqipërinë dhe Malin e Zi nuk ka më dilema, afatet e anëtarësimit të tyre janë realiste dhe frymëzuese edhe për vendet e tjera.
“Tani kemi një mundësi shumë realiste që Bashkimi Evropian të zgjerohet në vitet në vijim. Ende ka skepticizëm në shumë pjesë të Ballkanit Perëndimor se anëtarësimi në BE është me të vërtetë i mundur.
Shpresoj që shembulli pozitiv i Malit të Zi dhe Shqipërisë, që është i dyti ne radhë, do të frymëzojë pjesën tjetër të shteteve të Ballkanit Perëndimor që të ndjekin të njëjtën rrugë. Afati kohor për pranimin e shteteve të reja anëtare tashmë ka ndryshuar nga “hipotetik” në “realist”, pohoi Kos.
Kos pranoi se e para në radhë për tu anëtarësuar në BE është Mali i Zi, pas saj vjen menjëherë Shqipëria. Por meritat komisionerja veç unionit, ia jep edhe reformave të kryera në dy vendet e rajonit.
“Shtetet anëtare të BE-së ranë dakord të nisin hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi në BE. Kjo është hera e parë që pas vitit 2009 kur BE-ja nisi të hartonte një traktat të tillë për Kroacinë, që do të thotë se ne e ndërmorëm këtë hap pasi kanë kaluar 17 vite. Ky është një hap i madh në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe tregon se reformat japin fryte”, tha ajo.
Ndërsa Mali i Zi tashmë ka hyrë në fazën e anëtarësimit me miratimin e traktatit të pranimit me objektiv vitin 2028, edhe Shqipëria ka objektivat e qarta, mbylljen e negociatave në 2027 dhe anëtarësim brenda 2030, objektiva të cilat komisionerja për zgjerimin i quan realiste dhe shumë të mundura.

