Sht. Tet 24th, 2026

Rudolph: Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për Asociacionin, BE të procedojë me aplikimin për anëtarësim

Ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëjë “hapa konkretë” në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

 “Ka edhe hapa të veçantë që mund të ndërmerren nga ana e Kosovës, për shembull, zbatimi i marrëveshjes për krijimin e një forme të vetorganizimit për pakicën serbe. Se si do të realizohet kjo, do ta shohim, por padyshim që ka shumë punë për t’u bërë nga të dyja vendet”, tha Rudolph.

Ambasadori gjerman ka theksuar se konfirmimi i institucioneve dhe formimi i një qeverie me mandat të plotë janë parakushte për ecjen përpara të Kosovës, ndërsa ka vlerësuar se procesi ka ecur tepër ngadalë gjatë viteve të fundit.

“Së pari, dua të them se jam shumë i kënaqur që institucionet tashmë janë konfirmuar dhe se vendi ka një qeveri me mandat të plotë. Ky është parakushti i parë që Kosova të ecë përpara. Tani, mendoj se ajo që dëshironi të shihni janë hapa konkretë, për shembull, miratimi i legjislacionit që do të mundësonte disbursimin e fondeve nga Plani i Rritjes për Kosovën. Ky është vetëm një nga hapat që duhet të ndërmerren. Rruga është plotësisht e qartë. Në të njëjtën kohë, qeveria ime e ka konfirmuar këtë në shumë raste dhe do ta rikonfirmojë edhe në Samitin e Procesit të Berlinit në Mal të Zi. Por, po, është e vërtetë se ky proces ka ecur tepër ngadalë prej disa vitesh”, shto ai.

Ai ka shtuar se në vend të diskutimit për arsyet e vonesave, duhet të ketë përqendrim në hapat e ardhshëm dhe në mënyrën se si mund të çohet përpara procesi për Kosovën, teksa ka kërkuar angazhim të qartë nga Kosova dhe qeveria e saj e sapoformuar.

“Mendoj se nuk ia vlen të diskutojmë arsyet pse ka ndodhur kjo, por duhet të shohim përpara dhe të kuptojmë se si mund ta çojmë procesin përpara për Kosovën. Mendoj se duhet të shohim një angazhim të qartë nga Kosova dhe nga qeveria e saj e sapomandatuar. Gjithashtu, është e vërtetë se ka hapa që duhet të ndërmerren edhe nga ana e Bashkimit Evropian, siç është përcjellja e aplikimit për anëtarësim në Komisionin Evropian, në mënyrë që procesi të mund të vazhdojë”, potencoi.

Duke folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Rudolph ka thënë se nuk bëhet fjalë për presion nga Bashkimi Evropian, por për nevojën që të dyja vendet të angazhohen në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja përmes përfaqësuesit të saj të posaçëm.

“Epo, mendoj se nuk bëhet fjalë për presion nga Bashkimi Evropian, por për nevojën që të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, të punojnë në kuadër të këtij procesi, të cilin BE-ja e lehtëson përmes përfaqësuesit të saj të posaçëm. Por ne nuk po ushtrojmë presion”, u shpreh ai.

Diplomati gjerman shtoi se një nga hapat konkretë përpara në dialog do të ishte mbajtja e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Shikoni, padyshim që kjo është pjesë e procesit të dialogut, të cilin dëshirojmë ta çojmë përpara. Një hap konkret do të ishte, për shembull, mbajtja e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet të dyja vendeve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky do të ishte një hap konkret”, sqaroi Rudolph.

Marrëveshja për Asociacionin u arrit fillimisht më 19 prill 2013 (Marrëveshja e Parë e Brukselit), ndërsa parimet shtesë u dakorduan në gusht të vitit 2015. Pjesë e zbatimit të saj u rikonfirmua edhe në Marrëveshjen e vitit 2023.

Marrëveshja e Ohrit (Aneksi i zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit) u dakordua në takim në Ohër më 18 mars 2023, pasi marrëveshja bazë ishte bërë publike dhe pranuar verbalisht nga palët më 27 shkurt 2023 në Bruksel./EO/

Postime të Ngjashme