Çmimi i derivateve të naftës në Kosovë nuk pritet të ulet shpejt, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në muajt e ardhshëm të ketë edhe rritje të mëtejshme.
Kështu deklaron për KosovaPress kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Zekim Istogu, i cili thekson se situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme, mungesa e rezervave strategjike dhe varësia e plotë e Kosovës nga importi po ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e derivateve në vend.
Sipas tij, Kosova furnizohet 100 për qind nga importi dhe çdo lëvizje e çmimit në tregjet ndërkombëtare reflektohet në tregun vendor.
“Kosova 100 për qind furnizohet nga importi dhe për shkak të mungesës së stoqeve të mëdha brenda vendit, efekti i çmimit ndërkombëtar automatikisht ndikon tek çmimi në Kosovë. Situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ka ndikuar që çmimi i naftës në muajt ose në ditët e fundit të rritet. E ajo ka pas efekt edhe te ne në Kosovë. Fatkeqësisht situata atje nuk është që po ndryshon për të mirë dhe nuk mund të presim një ulje të madhe të çmimeve, ose të shpejtë të çmimeve të naftës”, thekson Istogu.
Ndërsa thotë se nuk pret aktualisht rënie të çmimit të naftës, Istogu nuk përjashton mundesinë që nga kriza aktuale apo konflikti në Lindjen e Mesme, çmimi i derivateve mund të rritet më shumë.
“Momentalisht kriza që është shkaktuar tash, sidomos këto javët e fundit, ka eskaluar në një terren tjetër i cili nuk shihet që kjo do të ketë një fund të shpejtë. Pastaj stoqet në vendet perëndimore, sidomos në vendet e Azisë edhe të Evropës janë në nivelet më të ulëta dhe kërkesa është më e madhe sesa prodhimi. Edhe nëse stabilizohet konflikti në Lindjen e Mesme, për një kohë çmimet do të jenë më të larta, nuk do të vijnë në nivelin e janarit ose të shkurtit të këtij viti. Ndoshta edhe për një vit… mundet me ra 20-30 dollarë, po jo me në nivelin çfarë kanë qenë… Po këtë vit është krejtësisht i paparashikueshëm për shkak të edhe lëvizjeve në Lindjen e Mesme, po edhe lëvizjeve në marrëveshjet që është bërë mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës për shfrytëzimin e rezervave të naftës në Venezuelë. Ajo mund të ndikojë në uljen e çmimit, por jo pa u stabilizuar gjendja politike në Lindjen e Mesme. Kështu që ndoshta mund të ketë një rritje këto muaj, rritje edhe më të madhe. Po presim që gjatë fundit të vitit që të ketë një rënie graduale deri në janar e pastaj nuk i dihet ecurisë së marrëveshjes finale”, thotë Istogu.
Një nga problemet kryesore të tregut vendor, sipas Istogut, është mungesa e rezervave shtetërore të derivateve.
“Lëvizjet në stoqet e derivateve të kompanive, të derivateve të naftës ka përafërsisht pesë eventualisht në varësi prej sezonit, ka dhe 10 ditë. Edhe ato janë me kosto të mëhershme. Vazhdimisht ulja e kostos, ulja e çmimit nëpër pika shkon në raport me koston mesatare të stokut të mallit që e importon. Kjo shkon gradualisht ndoshta mundet me ik një ditë nëse ka ulje ekstreme edhe pikat e benzinës, sikur që nuk e rrisin çmimin kur ka rritje ekstreme, nuk mundet me vepru në shkarkim të çmimit të lartë, po shkon me gradualitet. Edhe kur ulet, po edhe kur rritet çmimi… Problemi i tregut tonë qëndron në efektin e ndryshimit të shpejtë të çmimit. Qëndron në faktin sepse Kosova nuk ka rezerva strategjike. Nuk ka rezerva shtetërore. Sa i di rreth 5, për 5 ditë më shumë, nuk ka rezerva nga shteti kurse edhe operatorët afërsisht në rezervat të operimit gjatë operimit i kanë diku rreth pesë ditë”, thotë ai.
Sa i përket konsumit, Istogu bën të ditur se Kosova importon mbi 900 milionë litra naftë dhe benzinë në vit, apo rreth 2 deri në 3 milionë litra në ditë, varësisht nga sezoni.
Istogu thotë se një ndërhyrje e Qeverisë përmes uljes së akcizës do të mund të kishte efekt të drejtpërdrejtë te konsumatorët.
Ai vlerëson se ulja e pjesshme e akcizës do të mund të ndikonte në lehtësimin e kostos për qytetarët.
Ndonëse mirëpret heqjen e vendimit të Ministrisë për përcaktimin e çmimit maksimal të lejuar të shitjes së derivateve, Istogu nënvizon se marzha e kompanive nuk ka ndryshuar ndjeshëm dhe aktualisht është rreth 10 centë për litër.
Ai mohon se mungesa e konkurrencës është arsyeja e çmimeve të larta në Kosovë.
Istogu thotë se rritja e çmimit të derivateve ka sjellë edhe rritje të të hyrave për buxhetin e shtetit, pasi TVSH-ja llogaritet në përqindje mbi vlerën e mallit, përfshirë edhe akcizën.
Çmimi i naftës ka arritur deri 1.83 euro-centë në tregun e Kosovës dje dhe sot.
Deri pak ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë përcaktuar çmimin maskaimal për karburantet në Kosovë.
Më 4 shtator, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ndalur përcaktimin e çmimit maksimal për derivatet e naftës, duke i hapur rrugë rikthimit të çmimeve të tregut në pikat e shitjes në Kosovë.
Vendimi vjen pas një periudhe të zgjatur të rregullimit të çmimeve pas luftës së Lindjes së Mesme, përmes së cilës MINT-i kishte përcaktuar çmimet maksimale për derivatet e naftës në vend.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se baza ligjore parashikon që çmimi maksimal të përcaktohet për një periudhë deri në 90 ditë, ndërsa ministria e kishte zgjatur këtë periudhë deri në 150 ditë.
Sipas saj, gjatë periudhës së rregullimit të çmimeve, operatorët ekonomikë nuk kanë realizuar domosdoshmërisht fitime të larta, pasi në periudha të caktuara kanë operuar me marzha minimale, madje edhe pa fitim.
Si rrjedhojë e konfliktit të nisur më 28 shkurt në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës në Kosovë kishin arritur deri 1.91 euro – centë për litër.
Lufta filloi me sulmet amerikane dhe izraelite në të gjithë Iranin më 28 shkurt, duke e shtyrë Iranin të sulmonte Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik – si dhe duke mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe transporti për naftën dhe gazin natyror të lëngshëm në botë.

