Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj thirrjeve të protestuesve që po kërkojnë me ngulm largimin e tij nga detyra si shef qeveria.
Rama ka thënë se ata nuk kanë autorizim të flasin në emër të popullit, pasi, sipas tij, qytetarët shprehen përmes votës.
Rama tha prerazi që nuk e ka ndërmend të largohet nga karrigia e kryeministrit deri në përfundim të mandatit.
“Unë jam dhe do jem në krye të detyrës sime deri në ditën e fundit me njerëzit e zakonshëm të Shqipëri”, tha Rama.
Po ashtu ai e cilësoi protestën si një “mishmash” dhe kritikoi gjuhën e përdorur nga protestuesit, duke i akuzuar se nuk respektojnë standardet e komunikimit dhe dialogut.
“Ky mishmash ka një devizë përbashkuese, ne jemi populli, ne s’e durojmë dot më këtë sistem, s’e duam më këtë qeveri, s’e pranojmë më këtë kryeministër. Jep dorëheqjen, bindju popullit! Ky mishmash s’ka asnjë lidhje me popullin dhe asnjë autorizim për të folur në emër të popullit, sepse populli flet vet me votën e tij. Liria dhe e drejta e tyre, e atyre që duan t’u imponojnë të tjerëve bindjet e tyre, mbaron aty ku nis liria e të tjerëve. Një turmë që në fjalorin e vet bazik s’ka asnjë fije respekti për asnjë standard komunikimi, formë dialogu, apo ballafaqimi”.

