Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka marrë vendim për pushimin e hetimeve ndaj tij.
Sipas njoftimit të Aliut, vendimi për pushimin e hetimeve është marrë më 11 shtator, ndërsa ai është informuar për vendimin më 2 tetor, përmes avokatit të tij.
Aliu ka bërë të ditur se hetimet kishin nisur rreth dy vite më parë, ndërsa gjatë kësaj periudhe, sipas tij, rasti ishte shoqëruar me “spekulime të shumta mediatike” dhe sulme ndaj tij dhe familjes së tij.
“Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin”, ka shkruar Aliu.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që i kanë besuar gjatë kësaj periudhe, duke thënë se tash është i gatshëm të përballet me të vërtetën.
Aliu gjithashtu ka deklaruar se gjatë hetimeve është shqyrtuar edhe pasuria e tij dhe e familjes, si dhe të hyrat e tyre ndër vite.
Prokuroria Speciale pushon hetimet ndaj Liburn Aliut, ish-ministri: E vërteta doli në shesh

