Hën. Tet 5th, 2026

Projektligji për Serbinë në Senatin amerikan, parashikohen sanksione për destabilizimin e Ballkanit

Një projektligj i ri që lidhet me Serbinë është paraqitur në Senatin e Shteteve të Bashkuara, me nismën e dy senatorëve nga partitë republikane dhe demokrate.

Nisma është dorëzuar nga senatori republikan Chuck Grassley dhe senatori demokrat Richard Blumenthal. Sipas tyre, projektligji synon forcimin e institucioneve demokratike në Serbi, sundimin e ligjit dhe rritjen e përgjegjësisë në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Beogradit.

Në projektligj parashikohen sanksione financiare dhe kufizime të vizave ndaj personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe ndaj atyre që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin apo integritetin territorial të vendeve të rajonit.

Nisma amerikane lidhet gjithashtu me shqetësimet për zhvillimet demokratike në Serbi dhe me marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë dhe Kinën. Projektligji propozon edhe pezullimin e dialogut strategjik SHBA-Serbi nëse nuk adresohen çështje që lidhen me zgjedhjet e lira dhe të drejta, si dhe orientimin e politikës së jashtme të Serbisë.

Projektligji tashmë është futur në procedurë në Senatin amerikan. Megjithatë, që të shndërrohet në ligj, ai duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Kongresit amerikan dhe më pas të nënshkruhet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Nisma në Senat vjen pas një projektligji të ngjashëm të paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve në fund të gushtit nga kongresmeni republikan Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating.

Postime të Ngjashme