Pre. Tet 9th, 2026

Presidentja Shiroka-Pula kishte shprehur rezerva për Gjykatën Speciale: Drejtësia duhet të jetë e paanshme

Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kishte kritikuar më herët Gjykatën Speciale në Hagë, pas vendimit për dënimin e katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas këtij vendimi, Shiroka-Pula kishte reaguar publikisht, duke vlerësuar se rasti duhej të nxiste diskutim më të gjerë. Sipas saj, vëmendja nuk duhej të përqendrohej vetëm te vendimi gjyqësor, por edhe te mënyra se si janë ndërtuar dhe si funksionojnë Dhomat e Specializuara.

Në reagimin e saj, ajo kishte shkruar:

“Vendimi i fundit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na obligon të reflektojmë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi vetë natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara”.

Shiroka-Pula kishte theksuar se drejtësia duhet të shihet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme. Ajo kishte shprehur shqetësimin se mënyra e trajtimit të periudhave të ndjeshme historike mund të krijojë përshtypjen e zbatimit selektiv të drejtësisë.

Sipas saj, respektimi i procedurave ligjore nuk nënkupton se institucionet e drejtësisë duhet të jenë jashtë kritikave. Përkundrazi, ajo kishte vlerësuar se transparenca, llogaridhënia dhe debatet e argumentuara janë të rëndësishme për besimin e publikut në këto institucione.

Në postimin e saj, Shiroka-Pula kishte deklaruar:

“Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik”.

Një pjesë tjetër e reagimit të saj i kushtohej rolit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shiroka-Pula kishte theksuar se procedurat penale ndaj individëve nuk duhet të interpretohen si gjykim i përgjithshëm ndaj luftës së UÇK-së, periudhës historike apo synimit të popullit të Kosovës për liri.

Ajo kishte shkruar:

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë. Proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri”.

Në përfundim të qëndrimit të saj, Shiroka-Pula kishte shprehur “rezerva të thella” lidhur me mënyrën se si është konceptuar dhe si perceptohet Gjykata Speciale. Ajo kishte ngritur shqetësime edhe për ndikimin që, sipas saj, kjo gjykatë mund të ketë në kujtesën historike, besimin e qytetarëve dhe ndjenjën e drejtësisë.

Ndërkohë, dy ditë para publikimit të lajmit, Kuvendi i Kosovës e kishte zgjedhur Justina Shiroka-Pulën presidente të Republikës së Kosovës, me 81 vota.

 

Postime të Ngjashme