Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, mori pjesë në debatin e sotëm të organizuar nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike, mbi progresin e reformave në Kosovë.
Diskutimi u fokusua në zbatimin e agjendës së reformave, që lidhen me Planin e Rritjes në Kosovë, dhe 882.6 milionë eurot nga mbështetja e BE-së.
Në takim mori pjesë koordinatori kombëtar për facilitetin e reformave dhe rritjes, Jeton Zulfaj, dhe anëtarët e mekanizmit kombëtar të konsultimit për agjendën e reformave, që është një platformë e financuar nga BE-ja që përfshin shoqërinë civile dhe palë të tjera të interesuara.
“Përmes Planit të Rritjes, BE-ja po mbështet financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e reformave. Kosova pritet të marrë deri në 882.6 milionë euro, por duhet të përshpejtojë zbatimin e reformave, pasi kjo dritare mundësie mbyllet në dhjetor 2027. Kjo do të kërkojë angazhim të përbashkët politik dhe formimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme”, tha Palatova.
Bashkimi Evropian vlerëson se, ndërsa zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë janë afër, BE-ja mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përmbushjen e agjendës së saj të reformave dhe në avancimin e rrugës së saj të integrimit në BE.

