Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka paralajmëruar se kriza politike dhe zvarritja e formimit të institucioneve po rrezikojnë drejtpërdrejt investimet e huaja dhe rritjen ekonomike në vend, raporton Ekonomia Online.
Zeka tha se përvojat e mëhershme tregojnë se çdo ngërç politik ka reflektuar negativisht në ekonomi.
“Historikisht, sa herë kemi pasur ngërçe politike, domethënë tejzgjatje në formimin e institucioneve, kryesisht në periudhat paszgjedhore, e kam këtu në mendje vitin 2014, vitin 2017, vitin 2019, domethënë kjo gjithmonë ka reflektuar në normën e rritjes ekonomike për atë vit të caktuar. Ngjashëm edhe vitin e kaluar, kur kishim gati një vit të bllokadës politike, deri në zgjedhjet e 28 dhjetorit patëm një normë më të ulët nga ajo e parashikuar të rritjes ekonomike, pra për vitin 2025. Uroj që jo, por megjithatë pritshmëritë janë që një normë të tillë të ulët do të kemi edhe gjatë vitit 2026, edhe kjo kryekëput për shkak të tejzgjatjes së, domethënë, krizës politike, meqenëse tashmë po bëhet fjalë për një krizë, meqenëse partitë politike e patën të pamundur të gjejnë konsensusin për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së re të Republikës”, tha ai.
Ai theksoi se stabiliteti institucional është kusht kyç për tërheqjen e investimeve të huaja dhe se pasiguria politike i dekurajon investitorët.
“Investitorët e huaj kanë nevojë për institucione stabile, kanë nevojë për mjedise stabile, kanë nevojë për përfaqësues të institucioneve të shtetit me të cilët ata mund të bisedojnë edhe mund të japin zotimet e tyre dhe, në të njëjtën kohë, të ndjehen që investimet e tyre do të jenë të sigurta dhe nuk do të cenohen nga çfarëdo krize ose pasigurie politike e cila po e karakterizon vendin tonë. Uroj që zgjedhjet e ardhshme sa më shpejt të bëhen në mënyrë të rregullt, pas tyre të mos kemi vonesa të mëtejme as në konstituimin e Kuvendit të Republikës e as në themelimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit ose presidentes së vendit”, tha ai.
Zeka shtoi se mungesa e institucioneve funksionale ndikon edhe në komunikimin me investitorët e interesuar.
“Edhe ashtu që këta investitorë që po marrin pjesë sot në konferencën e investitorëve amerikanë të kenë me kë të mund të bisedojnë. Ajo që është po ashtu e rëndësishme është që institucionet qeveritare, institucionet e nivelit qendror, të mos bëjnë më bllokada ndaj komunave, në këtë rast ndaj qytetit të Prishtinës, për ecjen e këtyre projekteve kapitale, edhe po e them këtë duke u nisur nga e kaluara problematike, domethënë shpesh herë përgjatë kësaj dekade qeveria në nivelin qendror, jo vetëm kjo e fundit por edhe qeveritë e mëhershme, kanë bërë bllokada ndaj projekteve kapitale të qytetit të Prishtinës, po edhe komunave të tjera”, tha ai.Ai theksoi se, pavarësisht krizave globale, Kosova dhe rajoni kanë potencial për të tërhequr investime.
“Me të drejtë e thatë që megjithatë konfliktet e ndryshme në zona të ndryshme të botës mund të kenë ndikim në rritjen e, si të them, një fare ngurrimi të investitorëve të huaj që të zgjerohen, por megjithatë duhet theksuar që, në të njëjtën kohë, rajonet që janë në paqe, që janë paqësore, siç është rajoni i Ballkanit Perëndimor, mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi që të tërheqin investimet e huaja. Ne kemi, së paku Kosova ka fuqi të re punëtore, ka fuqi të mirë të edukuar punëtore dhe mund ta shfrytëzojë këtë rast, gjë e ngjashme siç ka ndodhur edhe gjatë pandemisë COVID-19, që të promovojë potencialet për tërheqje të investimeve të huaja dhe ta shfrytëzojë këtë situatë për tërheqje të investimeve amerikane dhe investimeve të tjera nga shtetet e Evropës Perëndimore, të cilat janë edhe shtete aleate të Republikës së Kosovës”, tha ai.

