Pre. Tet 23rd, 2026

Mungesa e komunikimit me Trumpin, rrezik për sigurinë kombëtare, thotë Osmani

Ish Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë me nivelet më të larta të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, përbën rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe interesat strategjike të Kosovës.

Osmani ka thënë se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është çështje protokolli, por e sigurisë kombëtare.

“Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, përmbajtësor dhe strategjik me nivelet më të larta të Administratës Trump: Presidentin Trump, Sekretarin Rubio dhe kabinetin politik të Presidentit, përbën një rrezik serioz për sigurinë tonë kombëtare dhe interesat tona strategjike”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka vlerësuar se kjo mungesë komunikimi i lë më shumë hapësirë Serbisë për të shtyrë përpara, siç është shprehur ajo, narrativat e rreme kundër Kosovës.

Osmani ka theksuar se Kosova nuk mund ta trajtojë si çështje dytësore marrëdhënien me aleatin e saj jetik.

“Pa një partneritet të fortë politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as integrimi ynë euroatlantik, as mbrojtja e së vërtetës historike për luftën çlirimtare, as mbrojtja e sovranitetit dhe shtetësisë sonë nuk mund të garantohen me sigurinë dhe qëndrueshmërinë që kërkojnë interesat tona kombëtare”, ka shkruar Osmani.

Postime të Ngjashme