Kreu i misionit të Haxhit të Kosovës, kryeimami Vedat ef. Sahiti, u shpall një nga shtatë krerët më të mirë ndërlidhës në organizimin e Haxhit 2026 sipas përzgjedhjes së Ministrisë së Haxhit dhe Umres së Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Ky çmim prestigjioz ndërkombëtare u nda në një konkurrencë të përfaqësuesve nga më shumë se 100 vende të botës.
Padyshim se ky çmim përfaqëson një konfirmim të ekspertizës, përgjegjësisë dhe punës së jashtëzakonshme të kryeimamit Sahiti për shumë vite në krye të misionit të haxhit kosovar në shërbim të haxhilerëve dhe në realizimin e ngjarjes më të madhe fetare në mbarë botën islame.
Bashkësia Islame e Kosovës shpreh krenarinë e saj për këtë njohje të rëndësishme, e cila konfirmon jo vetëm kontributin individual të kryeimamit Sahiti në krye të drejtorisë së Haxhit, por edhe seriozitetin sistematik, profesionalizmin dhe përkushtimin e të gjithë ekipit.
Gjithashtu, Bashkësia Islame e Kosovës, e sheh këtë çmim si njohje, vlerësim dhe konfirmim të standardeve të larta organizative që Drejtoria e Haxhit dhe Umres ka kultivuar me sukses për vite me radhë në fushën e organizimit të haxhit dhe umres, si dhe reputacionin që gëzon midis institucioneve dhe autoriteteve saudite dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Bashkësia Islame e Kosovës përgëzon kryeimamin Sahiti për këtë çmim prestigjioz dhe këtë njohje të vlefshme, sikur dhe shpreh mirënjohjen e saj të lartë për Ministrinë e Haxhit dhe Umres së Mbretërisë së Arabisë Saudite për vlerësimin dhe njohjen e cilësisë dhe përkushtimit të stafit të saj.
Çmimin e dorëzoi ministri i Haxhit dhe Umres, z. Taufik Rabiah, bashkë me dy zëvendësit e tij.
Ndarja e çmimeve u bë në ceremoninë përmbyllëse të Haxhit 2026 në selinë e Ministrisë së Haxhit dhe Umres në Mekë, ku edhe u dorëzua planprogrami orientues i haxhit të vitit të ardhshëm 2027.
Kryeimami Vedat ef. Sahiti, ndër shtatë krerët më të mirë ndërlidhës në organizimin e Haxhit 2026 sipas Ministrisë së Haxhit dhe Umres të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

