Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar mënyrën e saktë të plotësimit të fletëvotimit, duke rikujtuar se procedurat mbeten të pandryshuara nga zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në fund të vitit, më 28 dhjetor 2025, raporton Ekonomia Online.
Sipas udhëzimeve të KQZ-së, votuesi duhet të shënojë vetëm një subjekt politik në anën e majtë të fletëvotimit dhe deri në 10 kandidatë të po atij subjekti në anën e djathtë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se mënyra e votimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim.
“Si në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 28 dhjetor 2025, edhe në zgjedhjet e së dielës, më 7 qershor, mënyra e plotësimit të fletëvotimit është e njëjtë. Pra, nuk ka ndryshuar asgjë sepse është ligji i njëjtë në fuqi”, tha ai.
Elezi shpjegoi procedurën që duhet ndjekur nga votuesit gjatë plotësimit të fletëvotimit.
“Mënyra e plotësimit të fletëvotimit është kjo: Së pari, në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të zgjedhë vetëm një subjekt politik dhe së dyti, në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të atij subjekti politik. Pra, votuesi duhet të votojë vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë të atij subjekti politik”, njoftoi Elezi.
Ai tregoi edhe rastet kur fletëvotimi konsiderohet i pavlefshëm.
“Në rastet kur votuesi voton më shumë se një subjekt politik, fletëvotimi do të shpallet i pavlefshëm. Po ashtu, fletëvotimi do të shpallet i pavlefshëm edhe kur votuesi voton vetëm kandidatët për deputetë, por jo edhe për subjektin politik”, ka sqaruar ai.
Elezi theksoi se në rastet kur votuesi zgjedh më shumë se 10 kandidatë, vota do të vlejë vetëm për subjektin politik.
“Në rastet kur votuesi voton vetëm një subjekt politik dhe më shumë se 10 kandidatë, atëherë vota do t’i numërohet vetëm subjektit politik, por jo edhe kandidatëve. Ndërkaq, kur votuesi voton vetëm një subjekt politik dhe më pak se 10 kandidatë, vota do t’i numërohet subjektit politik dhe atyre kandidatëve që ka votuar”, ka thënë Elezi.
Të dielën e 7 qershorit, Kosova do të mbajë zgjedhjet e radhës për të zgjedhur deputetët e legjislaturës së 11-të. Në garë për deputetë do të jenë 902 kandidatë, të cilët përfaqësojnë 21 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.

