Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu priti sot në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemin, me të cilin ka biseduar për punën e këtij instituti, me theks të veçantë procesin e verifikimit të të dhënave për secilën viktimë, në bazë të të cilave u hartua lista preliminare e viktimave të luftës, e publikuar në korrik.
Haxhiu me këtë rast theksoi se për herë të parë, institucionet e Kosovës i kanë regjistruar viktimat e luftës një nga një, duke u mbështetur në dokumente dhe dëshmi të verifikuara.
“Përballë mohimit të krimeve nga Serbia, ky dokumentim i saktë është përgjigjja jonë më e fuqishme”, ka thënë Haxhiu, raporton KosovaPress.
Kujtojmë, raporti i listës preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë paraqet metodologjinë, procesin e dokumentimit dhe analizën e të dhënave të Listës preliminare, e cila përfshin rastet e verifikuara nga IKKL për periudhën e luftës (1 janar 1998 – 20 qershor 1999) dhe periudhën e pasluftës (21 qershor 1999 – 31 dhjetor 2000).
Publikimi i kësaj liste shënon fazën e parë të databazës institucionale të IKKL-së, e ndërtuar për të dokumentuar me saktësi pasojat njerëzore të luftës dhe për të shërbyer si një burim i besueshëm për institucionet, studiuesit dhe brezat e ardhshëm.
Të dhënat e raportit pasqyrojnë përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe theksojnë rëndësinë e dokumentimit të tyre mbi baza profesionale, të paanshme dhe të mbështetura në dëshmi. Çdo emër në këtë listë përfaqëson një jetë, një familje dhe një histori që meriton të ruhet në kujtesën institucionale dhe shoqërore.
Lista është preliminare dhe do të vazhdojë të përditësohet me dokumente dhe dëshmi të reja që verifikohen nga IKKL. Ky proces është pjesë e angazhimit të Institutit për ndërtimin e një databaze gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, në funksion të së vërtetës, kujtesës dhe drejtësisë.
Përmes këtij raporti, IKKL riafirmon përkushtimin për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, ruajtjen e kujtesës kolektive dhe mbështetjen e proceseve të drejtësisë, duke nderuar viktimat dhe duke u shërbyer familjeve të tyre, studiuesve dhe brezave që do të vijnë.

