Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nisur vizitën e saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku takimin e parë e ka zhvilluar me homologun e saj, kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Sipas saj, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë më të qëndrueshme kur gëzojnë mbështetje të gjerë parlamentare, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.
“Me kryetarin Gashi biseduam për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar përmes komisioneve dhe grupeve të miqësisë. U ndalëm edhe te roli i kuvendeve në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve, në mënyrë që bashkëpunimi ynë të sjellë përfitime konkrete për qytetarët”, ka deklaruar Haxhiu.
Kryeparlamentarja ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për mbështetjen që i jep Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ajo ka theksuar se në takim është diskutuar edhe për bashkërendimin e përpjekjeve në forumet parlamentare ndërkombëtare, si dhe për rrugën e integrimit evropian të të dyja vendeve.
Haxhiu ka vlerësuar se kuvendet e dy shteteve kanë rol të rëndësishëm në afrimin e mëtejshëm të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

