Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka mbajtur fjalim në kuadër të diskutimeve lidhur me raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për zhvillimet demokratike dhe proceset zgjedhore në Kosovë.
Gola shprehu mirënjohje për Presidentin Bulai dhe delegacionin e PACE-së, duke vlerësuar punën dhe bashkëpunimin e tyre.
Sipas tij, raporti dëshmon se Kosova ka një sistem zgjedhor të qëndrueshëm dhe vetëkorrigjues, duke e cilësuar këtë si dëshmi të një niveli të avancuar të pjekurisë demokratike dhe kulturës zgjedhore.
“Raporti dëshmon se Kosova ka një sistem zgjedhor të qëndrueshëm dhe vetëkorrigjues. Kjo do të thotë se Kosova ka arritur një nivel të tillë të pjekurisë demokratike dhe kulturës zgjedhore, saqë përbën shembull për demokracitë e tjera në rajon dhe më gjerë”, deklaroi Gola.
Duke folur për pjesëmarrjen e komuniteteve në proceset zgjedhore, deputeti tha se institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje për të siguruar një proces gjithëpërfshirës. Ai veçanërisht përmendi pjesëmarrjen e komunitetit serb, duke pretenduar se ajo është realizuar pavarësisht presionit dhe frikësimit nga Lista Serbe dhe Serbia.
Në një pjesë të fjalimit, Gola u ndal edhe te Serbia, duke e akuzuar atë për vazhdimësi ideologjike me të kaluarën e saj dhe për përdorim të retorikës që, sipas tij, nxit tensione.
“Ndërkohë që edhe sot në Kosovë vazhdojnë të zbulohen mbetje mortore dhe varreza masive si pasojë e krimeve të kryera nga Serbia, Serbia vazhdon të glorifikojë kriminelë të dënuar për gjenocid, të strehojë terroristë dhe të përdorë retorikë luftënxitëse, përfshirë thirrje për spastrimin etnik të Kosovës”, tha ai.
Gola komentoi edhe dënimet e fundit të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat ishin përmendur në raport.
Ai tha se, sipas tij, pretendimet qendrore të raportit të Dick Martyt nuk janë vërtetuar në proceset gjyqësore, duke përmendur në mënyrë të veçantë akuzat për krime kundër njerëzimit, trafikim organesh dhe pretendimet lidhur me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.
Sa u përket akuzave të mbetura, Gola tha se beson se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse, sipas tij, zbatohen me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
“Ne besojmë fuqishëm se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse i zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë, dhe udhëheqësit e UÇK-së do të jenë të lirë”, deklaroi Gola.
Në fund të fjalimit, ai e cilësoi UÇK-në si një forcë që u shfaq si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes dhe tha se lufta e saj kishte për qëllim çlirimin e Kosovës nga regjimi i Slobodan Miloševićit.
Gola u bëri thirrje institucioneve evropiane që të mbeten vigjilente ndaj zhvillimeve në rajon dhe të mos lejojnë, siç u shpreh ai, “shtrembërimin dhe përmbysjen e të vërtetave historike”.

