Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se nga viti 2019 deri në tetor të vitit 2026, në Kosovë janë regjistruar 19 mijë e 916 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë vrarë 33 gra.
Këto të dhëna ajo i bëri të ditura në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku theksoi se dhuna është një fenomen që tejkalon kufijtë, shoqëritë dhe dallimet kulturore.
Gërvalla theksoi se dhuna nuk përfshin vetëm sulmet fizike, por edhe kërcënimin, kontrollin, poshtërimin dhe frikësimin, duke theksuar se luftimi i saj kërkon angazhim institucional dhe qëndrim të vendosur shoqëror.
“Dhuna është cenim i të drejtave dhe dinjitetit njerëzor dhe nuk kufizohet vetëm në sulmin fizik. Dhuna përfshin edhe kërcënimin, kontrollin, poshtërimin dhe frikësimin. Një gjë ta dini, kushdo që ushtron dhunë mbi tjetrin nuk është i fortë, por i lig, shumë i ligë madje. Çdo ditë, gra, burra, të moshuar dhe fëmijë përballen me fenomenin e quajtur dhunë. Nga viti 2019 deri në tetor të vitit 2026, në Kosovë janë regjistruar 19 mijë e 916 raste të dhunës në familje. Në këtë periudhë janë vrarë 33 gra”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë rasteve të dhunës në familje, duke theksuar rëndësinë e raportimit dhe reagimit të menjëhershëm të institucioneve.
Sipas saj, secili rast duhet të trajtohet me seriozitet dhe viktimave duhet t’u ofrohet mbrojtja e nevojshme.
“Mos jetoni nën kërcënimin e dhunës. Mos heshtni, mos e arsyetoni dhe mos e toleroni atë. Raportimi i dhunës është përgjegjësi dhe akt solidariteti me secilin që ka nevojë për mbrojtje”, tha ajo.
Ministrja theksoi se luftimi i dhunës nuk duhet të kufizohet vetëm në 16 ditët e fushatës, por duhet të jetë angazhim i përditshëm i institucioneve dhe gjithë shoqërisë.

