Pre. Nën 20th, 2026

Erërat shkaktojnë dëme në disa qytete të Kosovës, një person i lënduar dhe ndërprerje të rrymës

Erërat e fuqishme që përfshinë Kosovën gjatë mbrëmjes së së enjtes shkaktuan dëme materiale në disa pjesë të vendit, ndërsa në disa zona pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Ndër komunat më të prekura ishte Ferizaj, ku situata u rëndua deri në atë pikë sa u ndërpre furnizimi me energji elektrike, me kërkesë të Policisë së Kosovës, për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Sipas KEDS-it, dëmet në infrastrukturën energjetike dhe avaritë e shkaktuara nga erërat e forta e bënë të domosdoshme këtë masë. Zyrtari i kompanisë, Adlum Ramadani, ka bërë të ditur se qindra ekipe janë shpërndarë në terren për sanimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Ai ka përmendur Ferizajn, Gjilanin, Prizrenin dhe Prishtinën si komunat ku janë vërejtur pasojat më të mëdha në rrjetin elektrik.

Në Prishtinë, erërat shkaktuan dëme në disa lagje. Në Matiqan, disa dritare u shkëputën nga një ndërtesë dhe ranë mbi një veturë, duke i shkaktuar dëme materiale. Ndërsa në lagjen Ulpiana, pranë shkollës fillore “Hasan Prishtina”, u raportua për rënien e një pjese të kulmit të një ndërtese. Dëme u raportuan edhe në lagjen Mati.

Probleme pati edhe në komunën e Rahovecit, konkretisht në Krushë të Madhe, ku erërat dëmtuan kulmin e një biznesi. Pjesë të kulmit, përfshirë llamarina, përfunduan në rrugën Gjakovë–Prizren, duke rrezikuar qarkullimin. Ekipet e zjarrfikësve intervenuan për largimin e tyre.

Në magjistralen Prishtinë–Pejë, në fshatin Vragoli, era rrëzoi një ndriçues në mes të rrugës, duke e bllokuar qarkullimin për disa minuta. Ndërsa në Prizren, në zonën e Shadërvanit, u dëmtuan dhe u rrëzuan tavolinat e karriget e lokaleve të gastronomisë.

Dëme janë raportuar edhe në komunën e Kamenicës, në fshatin Ruboc, ku një qytetari i janë rrëzuar dy sera bujqësore me sipërfaqe prej rreth 300 metrash katrorë.

Ndërkohë, në Ferizaj, përveç dëmeve në biznese, ndërtesa publike dhe automjete, Policia ka raportuar edhe për një person të lënduar. Ekipet policore dhe emergjente kanë intervenuar në disa rrugë e hapësira publike për të larguar pengesat dhe për të parandaluar rreziqet e mëtejshme.

Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar edhe në pjesë të Lipjanit, ndërsa në Prishtinë, Gjilan, Prizren dhe Ferizaj janë evidentuar probleme në rrjetin elektrik.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar erëra me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, me rafale edhe më të fuqishme.

Postime të Ngjashme