Dy persona janë arrestuar në Ferizaj, nën dyshimin për përfshirje në shitblerje të substancave narkotike. Rasti ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje, më 14 tetor, rreth orës 20:00, në rrugën “Ali Aliu”.
Njësitet policore kanë ndaluar dhe kontrolluar dy automjete, pasi dyshohej se në to po kryhej shitblerje e narkotikëve. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe konfiskuar 2.93 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, 65 euro para të gatshme dhe një telefon.
Lidhur me rastin, janë arrestuar dy persona të gjinisë mashkullore. Pas veprimeve policore dhe me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa personi tjetër është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt.

