Enj. Tet 15th, 2026

Ambasadori i BE-së,Dirk Schübel përshëndet vendimin e Kosovës për masa të reja kufizuese ndaj Rusisë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schübel, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’u harmonizuar me një masë shtesë kufizuese të BE-së ndaj Rusisë, në mbështetje të Ukrainës.

Përmes një postimi në platformën X, Schübel ka vlerësuar se ky vendim e mban Kosovën në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian. Ai ka përshëndetur gjithashtu harmonizimin e Kosovës me deklaratat e 27 vendeve anëtare të BE-së.

Ambasadori ka theksuar se përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj kësaj politike dëshmon respektimin e vlerave evropiane.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësim-ndryshimet e vendimit të vitit 2022, të miratuar pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ky vendim synon harmonizimin e mëtejshëm të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka shpjeguar se ndryshimet parashohin edhe përjashtime të përkohshme nga disa masa kufizuese, me qëllim të përmbylljes së kontratave ekzistuese dhe sigurimit të komponentëve kritikë industrialë gjatë kalimit drejt burimeve alternative të furnizimit.

Përmes këtij vendimi, Kosova synon të vazhdojë përafrimin me politikën e përbashkët evropiane ndaj Rusisë dhe të forcojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë.

Postime të Ngjashme