Die. Tet 18th, 2026

Bregdeti i Velipojës mbushet me mbetje plastike, alarm mjedisor në Shkodër

Velipoja po përballet me një situatë alarmante mjedisore, pasi bregdeti është mbuluar nga tonelata mbetjesh plastike të sjella në brigjet e saj pas reshjeve të dendura dhe detit të trazuar të ditëve të fundit.

Gjatë ditës së hënë, në zonën bregdetare vërehet se disa biznese lokale kishin nisur procesin e pastrimit të rërës, duke ndërhyrë për largimin e mbeturinave të shumta të depozituara përgjatë vijës bregdetare.

Situata ka sjellë reagimin e shoqatave mjedisore, të cilat kanë njoftuar organizimin e një aksioni të gjerë pastrimi më 10 dhjetor, me fokus bregdetin e Velipojës.

Ndikimi i ndotjes që vjen nga territori shqiptar është ndjerë edhe jashtë kufijve. Ditë më parë, në Kroaci, në portin e vjetër të Dubrovnikut dhe plazhin Banje, janë konstatuar sasi të mëdha mbetjesh plastike të mbërritura nga Shqipëria, të identifikuara përmes etiketave dhe simboleve në ambalazhe.

Postime të Ngjashme

Diamanti rozë mbretëror që u vodh dhe u gjet brenda një molle, ekspozohet pas 100 vjetëshNjë diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën historike Château de Chantilly. Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, konsiderohet një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar. Historia e diamantit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e tij. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e vodhën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar. Diamanti u zbulua disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe hasi në gurin e çmuar, duke zbuluar kështu vendin ku ishte fshehur. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, megjithëse historia mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht në gazetat e kohës. Ekspozimi i diamantit vjen në një kohë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me grabitje të bujshme, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nga CNN për rreziqet e mundshme të ekspozimit të një objekti kaq të rrallë, Deldicque nuk bëri të ditur shumën për të cilën është siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta identifikuar në mënyrë unike. Përveç diamantit, ekspozita përfshin rezultate të analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, të cilat hedhin dritë mbi historinë e tij dhe grabitjen që ndodhi gati një shekull më parë.