Autoritetet e Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësim për votimin e mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ato mund të cenojnë obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe parimet themelore të sundimit të ligjit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar lidhur me mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër për ligjin që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në reagimin e publikuar, BE-ja thekson se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze, veçanërisht sa i përket pavarësisë së gjyqësorit, mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësisë së të drejtave procedurale dhe llogaridhënies efektive.
Përveç këtyre çështjeve, BE-ja ka ngritur shqetësime edhe lidhur me kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara.
“Që nga kthimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, jemi angazhuar aktivisht për t’ua përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë tona autoriteteve të Kosovës”, thuhet në reagimin e BE-së.
Bashkimi Evropian thekson se para çdo miratimi të mundshëm të ligjit duhet të zhvillohen konsultime paraprake, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

