Krerët e NATO-s dhe të Komisionit Europian kanë paralajmëruar se Rusia po bëhet gjithnjë e më e pamatur dhe janë zotuar të përgjigjen ndaj një “normaliteti të ri”, shkruan BBC.
“Leipzigu shënon një përshkallëzim të ri në territorin e Bashkimit Europian, që i atribuohet drejtpërdrejt Rusisë”, tha presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, një ditë pasi Gjermania fajësoi Rusinë për një sulm të dështuar me dron në aeroportin e Leipzigut.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca, e cila përfshin SHBA-në, qëndron “në solidaritet të plotë me Gjermaninë”.
Rusia i hedh poshtë akuzat se më 4 gusht kishte shënjestruar një avion transportues ukrainas me një dron të ngarkuar me eksploziv.
Ajo i është përgjigjur sanksioneve të reja gjermane duke thënë se do t’i mbyllë qendrat kulturore të Institutit Goethe të Gjermanisë në Rusi.
Droni u çaktivizua nga një robot në aeroportin Leipzig/Hale dhe mendohet se një dron i dytë është përplasur me një tjetër avion transportues.
Një dron i tretë thuhet se u gjet 10 ditë më vonë në aeroport, i cili është një qendër e rëndësishme e NATO-s dhe përdoret rregullisht nga avionët ukrainas të transportit Antonov.
Vetëm të martën qeveria gjermane tha se hetimet e policisë dhe gjetjet e shërbimeve të inteligjencës kishin provuar se Rusia qëndronte pas incidenteve.
Ministri i Brendshëm tha se konfigurimi i dronit, komponentët, eksplozivët dhe detonatori ishin të gjithë të njohur nga operacione të tjera hibride ruse.
Dy të dyshuar raportohet se janë identifikuar në sulmin në Leipzig, përfshirë një bjellorus me pasaportë ruse, i cili hyri me vizë turistike, dhe një tjetër me pasaporta letoneze dhe ruse, i cili mbërriti me avion në Berlin dhe u largua me avion dy ditë para sulmit të dështuar.

