Një 39-vjeçar është arrestuar në Austri në lidhje me një rast në të cilin u gjet helm për minj në kavanoza me ushqim për fëmijë, thotë policia.
Dy javë më parë, një kavanoz me pure karrote dhe patate u gjet se përmbante helmnë Burgenland, duke bërë që prodhuesi HiPP të tërhiqte nga tregu një gamë të tërë të produkteve të tij, shkruan BBC.
Një total prej pesë kavanozësh të kontaminuar u gjetën në Austri, Republikën Çeke dhe Sllovaki, përpara se të mund të konsumoheshin.
Gazeta austriake Die Presse raportoi se një email që kërkonte 2 milionë euro nuk ishte vënë re nga HiPP deri pas skadimit të afatit të pagesës së shpërblimit.
Drejtori ekzekutiv i firmës gjermane i tha gazetës se mesazhi, i cili i jepte kompanisë gjashtë ditë për të paguar paratë, u dërgua më 27 mars në një adresë email-i që kontrollohet çdo dy deri në tre javë.
Arrestimi u njoftua të shtunën nga policia në Burgenland. Zëdhënësi Helmut Marban i tha BBC-së se nuk mund të zbuloheshin detaje të mëtejshme në lidhje me të dyshuarin ose rrethanat e arrestimit të tij, pasi hetimi ishte në vazhdim.
Autoritetet besojnë se të paktën një kavanoz tjetër i helmuar është ende në qarkullim dhe kanë lëshuar udhëzime se si të dallohen kavanozët e manipuluar.
Konsumatorëve u është kërkuar të kenë kujdes për kapakë të dëmtuar ose të hapur, një vulë sigurie që mungon, një erë të pazakontë ose të prishur ose një ngjitëse të bardhë me një rreth të kuq në fund të kavanozit të qelqit.
Agjencia Austriake për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore i paralajmëroi prindërit, foshnjat e të cilëve kishin konsumuar ushqimin e kësaj marke, të konsultoheshin me një mjek nëse fëmijët e tyre tregonin shenja gjakderdhjeje, dobësie ekstreme ose zbehjeje.

