Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Fushë-Kosovë, pas një rasti të kanosjes me armë dhe rezistencës ndaj zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit të Policisë, një person, mashkull kosovar i nacionalitetit serb, kishte kërcënuar një qytetar me armë. Pas identifikimit, ai nuk iu bind urdhrave të policisë për ndalim dhe dorëzim, por u mbyll brenda shtëpisë së tij.
Për realizimin e operacionit u angazhuan njësi të shumta policore, përfshirë njësitë speciale intervenuese dhe operative, njësitë e rendit publik dhe njësinë K9. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të policisë për t’u dorëzuar, personi refuzoi të bashkëpunonte.
Përballë kësaj situate, zyrtarët policorë ndërhynë për të hapur derën e shtëpisë dhe për të hyrë brenda. Pamjet e publikuara tregojnë momentet e ndërhyrjes, gjatë së cilës u përdor motorsharra për hapjen e derës.
Gjatë operacionit u arrestua personi i dyshuar për kanosje, si dhe një person tjetër, i cili dyshohet se pengoi zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Në vendin e ngjarjes morën pjesë edhe zjarrfikësit dhe ekipet e ambulancës, të cilat u angazhuan gjatë zhvillimit të operacionit.
Policia ka bërë të ditur se ekzaminimi i vendit të ngjarjes është duke vazhduar, ndërsa veprimet e mëtejshme po ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin gjatë operacionit, i cili përfundoi me arrestimin e dy personave.

