Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pasditen e së martës në segmentin rrugor Landovicë–Gjonaj, në Prizren.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për Indeksonline se rreth orës 18:22 policia është njoftuar për një aksident ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.
“Patrulla policore ka reaguar menjëherë dhe ka dalë në vendin e ngjarjes. Me të arritur në ora 18:30, zyrtarët policorë kanë konstatuar se bëhet fjalë për një aksident trafiku me pasojë vdekjen,” ka deklaruar Bytyqi.
Ekipi i urgjencës ka konfirmuar vdekjen e viktimës, Z.Q., i lindur në vitin 1994, nga fshati Romajë i Komunës së Prizrenit, i cili në momentin e aksidentit ishte duke drejtuar motoçikletën.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut, ndërsa është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

