Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, e ka vlerësuar marrëveshjen mes LVV-së dhe PDK-së për zgjedhjen e presidentes së re si një zhvillim të rëndësishëm për politikën kosovare.
Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Abrashi ka theksuar se procesi këtë herë është zhvilluar pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar, ndryshe nga raste të mëparshme kur, sipas tij, zgjidhja e krizave politike në Kosovë është shoqëruar me ndërmjetësim ndërkombëtar.
Ai e ka konsideruar veçanërisht të rëndësishëm faktin që marrëveshja është arritur mes LVV-së dhe PDK-së, dy subjekteve që i ka përshkruar si forca me dallime të mëdha politike.
“Po harrojmë që Kosova, në kuptimin e zgjidhjes së krizave deri tash ka qenë në një inkubator të ndërkombëtarëve. Është hera e parë që kemi zgjedh president pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Pa presione ndërkombëtare, pa kushtëzime ndërkombëtare, pa zarfe. Është hera e parë që klasa politike është lënë, mos me thënë është braktisë prej ndërkombëtarëve. Dy forca shumë antagoniste siç LVV dhe PDK kanë arrit me u marrë vesh. Kjo është pozitive.
Bile bile jo në mënyrë konfidenciale, por në konferencë për media, në mënyrë të hapur, para krejt popullit të Kosovës. Kjo është shenjë e pjekurisë”, ka deklaruar Abrashi.

