Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me dëshminë e 41-vjeçarit Filip Shehu, autorit të vrasjes së kolegut në orarin e punës.
Ai ka deklaruar se konflikti ka qenë i çastit vetëm për punën, por ka shtuar se kanë pasur marrëdhënie konfliktuale të gjata me të.
Gazetarja e Top Channelit, Dorjana Bezat, mëson se dëshmia bie ndesh me stafin tjetër të lokalit, i cili ka deklaruar se viktima Indrit Ismailllari, nuk ishte një njeri problematik dhe nuk grindej me asnjë njeri.
Viktima prej 5 vjetësh ishte pjesë e këtij restoranti, ndërsa autori ishte pjesë e stafit prej disa muajsh.
Nuk kanë pasur debate të ashpra, teksa autori vijon të mbajë të njëjtën dëshmi duke treguar se “ndjehesha i kërcënuar, cënuar, kishim konflikte të vazhdueshme”, por kjo gjë nuk konfirmohet nga stafi i biznesit.
Sa i përket dinamikës së ngjarjes, gjithçka ka nisur për një proshutë. Autori kishte marrë një pjatë me proshutë, të cilën viktima i ka thënë të mos e marrë.
Fillimisht kanë nisur një debat verbal e më pas Filip Shehu ka marrë thikën dhe e ka goditur në qafë, duke i prekur arterien kryesore. Kjo plagë i mori edhe jetën 34-vjeçarit.
Autori, ka qëndruar i qetë duke pritur policinë, ndërkohë që pritet t’i bëhet një ekzaminim psikologjik. Ai ka probleme sociale, prej muajsh jetonte i vetëm dhe kishte probleme me familjen.
34-vjeçari Indrit Ismaillari, kamerier në lokalin në zonën e Komunës së Parisit, ka mbetur viktimë pasi është goditur me thikë nga Filip Shehu, i cili punonte si kuzhinier në këtë biznes.

