Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në selinë e Kryesisë së BIK-ut një delegacion nga Fakulteti i Shkencave Islame në Sarajevë, i kryesuar nga dekani, prof. dr. Mustafa Hasani, i cili shoqërohej edhe nga prodekani prof. dr. Zuhdija Hasanoviç, prodekani për cilësi prof. dr. Nedim Begoviç dhe prodekani për arsim prof. dr. Ahmet Alibasiç.
Gjatë këtij takimi u bisedua rreth mundësive të bashkëpunimit të ndërsjellë, me theks në shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve, ngritjen e kapaciteteve akademike, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit dhe edukimit islam.
Myftiu Tërnava theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve simotra, duke vlerësuar lart rolin e Fakultetit të Shkencave Islame në Sarajevë në përgatitjen e kuadrove cilësore dhe në ruajtjen e traditës së studimeve islame në rajon. Ai shprehu gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për të fuqizuar lidhjet institucionale dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi.
Delegacioni nga Sarajeva, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, do të vizitojë edhe institucionet fetaro-arsimore, në veçanti Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, për të parë nga afër mundësitë konkrete të bashkëpunimit dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta akademike.