Gjatë ditës së nesermë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës do të mbahet seanca fillestare ndaj ndaj nënkryetarit të Listë Serbe Slavko Simiq dhe Urosh Vukasinoviq, për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq.
Theksojmë se në qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre dy personave.
Prokuroria ka bërë të ditur se aktakuza ka të bëjë me dyshimin se Simiq ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Me datë 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, i pandehuri S.S., me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat, me ç`rast vazhdon sulmi në drejtim të gazetarëve dhe mediumeve të Republikës së Kosovës, fillimisht me shok bomba, pastaj i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta si kubëza betoni tulla, ngjyra dhe gjësende tjera, si pasojë e të cilave kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy gazetarë”, sqaron Prokroria.