Këshilli Prokurorial i Kosovës(KPK) avancoi në pozitën e prokurorit special, Armend Zenelajn.
Në mbledhjen e 273-të të KPK-së, kryesuesi i Panelit për avancim dhe transferim, njëherësh ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, bëri të ditur se për këtë pozitë kanë aplikuar tre kandidatë: Armend Zenelaj, Fitore Sadikaj dhe Sadri Alija, ndërsa pas mbajtjes së intervistave, Zenelaj ka marrë më së shumti pikë,
Kelmendi tha se ndaj raportit kundërkandidatët kanë pasur të drejtën për paraqitje të kundërshtimeve.
Anëtari i (KPK) Visar Krasniqi elaboroi kundërshtimin e paraqitur nga prokurorja Sadikaj, e cila, sipas tij, ka pretenduar për zbatim të gabuar të kritereve ligjore, duke nisur nga pikët e intervistës, e që sipas saj është përgjigjur saktë duke i plotësuar standardet e kërkuara për përgjigje në pyetjet e komisionit.
“Sadikaj ka pretenduar se mungesa e arsyetimit adekuat për pikët e dhëna nga paneli vlerësues, shton dyshime për mungesë të objektivitetit në vlerësim.
Sadikaj ka kundërshtuar edhe pikët e dhëna nga paneli lidhur me përvojën e punës, pasi që në krahasim me kundërkandidatët, specifikisht njëri me mandat të kufizuar në Departamentin e Përgjithshem dhe me funksion administrativ si anëtar i Këshillit, është e pakrahasueshme si provojë me atë të saj. Prokurorja ka potencuar përvojën prej 20 vjetësh, ku 9 prej tyre i ka në Departamentin për Krime të Rënda. Po ashtu, ka kundërshtuar vlerësimin e panelit lidhur me trajnimet me arsyetimin se paneli ka dhënë pikë më pak sesa specializimet që ka.
Andaj, Sadikaj i ka propozuar Këshillit që kundërshtimi të aprovohet dhe të kthehet në rivlerësim vlerësimi i panelit, duke kërkuar trajtim objektiv dhe të drejtë të kandidatëve”.
Nga ana tjetër, kryesuesi i Panelit për avancim dhe transferim, njëherësh ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi tha se Komisioni ka bërë vlerësim objektiv dhe se kandidati vlerësohet bazuar në intervistën e dhënë para Komisionit.
Këshilli Prokurorial me pesë vota kundër dhe tri abstenime, refuzoi kundërshtimin e paraqitur nga prokurorja Sadikaj.