Qeveria e Kosovës ka përkujtuar 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, duke vlerësuar kontributin e atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Në këtë përvjetor është vlerësuar gjithashtu kontributi i Sevastie Qiriazit dhe familjes Qiriazi, klubit “Bashkimi” të Manastirit, si dhe shoqërive e klubeve shqiptare që ndihmuan në realizimin e kësaj vepre historike.
Sipas Qeverisë, Kongresi i Manastirit dëshmoi fuqinë e organizimit dhe të dijes në shërbim të çështjes kombëtare, duke kapërcyer dallimet për një qëllim të përbashkët: unifikimin e alfabetit dhe zhvillimin e arsimit e kulturës shqiptare.
Në mesazhin e saj, Qeveria ka theksuar se përgjegjësia e institucioneve sot është vazhdimi i kësaj trashëgimie përmes arsimit cilësor, mbështetjes për mësimdhënësit, librit dhe shkencës, si dhe ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe në institucione dhe në mërgatë.
“Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez”, thuhet në mesazhin e Qeverisë.
Qeveria e Kosovës ka uruar qytetarët për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

