Përfaqësuesit e shumicës së federatave sportive të Kosovës janë pajtuar për një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kërkojnë nga institucionet përgjegjëse realizimin e menjëhershëm të obligimeve financiare ndaj sportit.
Pas një takimi të mbajtur të mërkurën mbrëma, më 18 nëntor, në Prishtinë, federatat kanë harmonizuar qëndrimet e tyre lidhur me vonesat në financimin publik dhe vështirësitë me të cilat po përballen në funksionimin e aktiviteteve sportive.
Sipas deklaratës së siguruar nga KosovaPress, një numër i konsiderueshëm i federatave nuk i kanë pranuar këstet e parapara të financimit gjatë këtij viti, ndërsa në disa raste, deri në muajin nëntor janë realizuar vetëm pagesat për tremujorin e parë.
Federatat vlerësojnë se kjo gjendje ka krijuar vështirësi serioze në përmbushjen e obligimeve ndaj klubeve, sportistëve dhe trajnerëve, organizimin e garave vendore e ndërkombëtare, si dhe përfaqësimin e Kosovës në organizatat sportive ndërkombëtare.
Përmes kësaj deklarate, ato kanë paraqitur gjashtë kërkesa konkrete ndaj institucioneve përgjegjëse.
Kërkesa e parë është realizimi i menjëhershëm i mjeteve financiare të papaguara, në përputhje me memorandumet e bashkëpunimit të nënshkruara me Ministrinë përgjegjëse për Sportin.
Po ashtu, federatat kërkojnë transparencë dhe sqarim zyrtar për arsyet e vonesave, përcaktimin e një kalendari të garantuar të pagesave, si dhe krijimin e një mekanizmi që siguron financim të rregullt edhe në vitet e ardhshme.
Një tjetër kërkesë është organizimi i një takimi të përbashkët me Ministrinë përgjegjëse për Sportin, Agjencinë e Sportit dhe Komitetin Olimpik të Kosovës, për të diskutuar zgjidhjet konkrete për tejkalimin e situatës.
Federatat u kanë lënë institucioneve afat prej shtatë ditësh kalendarike nga dorëzimi i deklaratës për të dhënë përgjigje zyrtare dhe për të paraqitur një plan konkret veprimi.
Në deklaratë thuhet se, nëse kërkesat nuk marrin përgjigjen dhe zgjidhjen e duhur brenda këtij afati, federatat do të shqyrtojnë dhe harmonizojnë hapat e mëtejmë të përbashkët, përfshirë edhe mundësinë e rishikimit të organizimit të aktiviteteve sportive.
Ato kanë theksuar se kjo deklaratë nuk është kundër institucioneve të Kosovës, por një thirrje për përgjegjësi dhe respektim të zotimeve institucionale.
“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë respektimin e zotimeve, trajtim institucional dhe kushtet minimale për zhvillimin normal të sportit në Republikën e Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët.



