Mër. Nën 18th, 2026

Shaqiri flet për të ardhmen e tij

Xherdan Shaqiri ka reaguar ndaj spekulimeve për një largim të mundshëm nga FC Basel në verën e vitit 2027, duke i cilësuar si të pavërteta raportimet se ai dhe klubi zviceran pritet të ndahen.

Kapiteni 35-vjeçar i Baselit ka sqaruar përmes një postimi në Instagram se ende nuk ka marrë asnjë vendim për të ardhmen e tij, ndërsa ka theksuar se komunikimi me klubin është i mirë.

“Thashethemet aktuale rreth një vendimi të supozuar në lidhje me të ardhmen time janë të rreme”, ka shkruar Shaqiri.

Ai ka shtuar se do të ketë një njoftim zyrtar vetëm kur të merret vendimi përfundimtar.

“Unë dhe FC Basel mbetemi në komunikim të mirë dhe do të komunikojmë sapo të merret një vendim dhe të jetë gati për t’u shpallur”, deklaroi Shaqiri.

Më tej, futbollisti shqiptar ka bërë të ditur se vazhdon të ndihet mirë në klub dhe se është i përqendruar për ta ndihmuar ekipin të përmirësojë rezultatet.

“Unë vazhdoj të kënaqem këtu dhe do të punoj me ekipin dhe stafin për të bërë gjithçka që mundem për të siguruar që gjërat të përmirësohen në fushë.”

Shaqiri u rikthye te Baseli në verën e vitit 2024, pas 12 vjetësh në futbollin e huaj, dhe në sezonin e parë e ndihmoi klubin të fitonte titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës.

Kontrata e tij aktuale përfundon në verën e vitit 2027. Këtë sezon, ai ka realizuar tre gola dhe ka regjistruar një asistim në 12 paraqitje në kampionat.

Baseli aktualisht renditet në pozitën e shtatë në Superligën e Zvicrës.

KosovaPress

Postime të Ngjashme