Mër. Nën 18th, 2026

Paralajmëron FBI: Hakerët përdorin inteligjencën artificiale për sulme brenda 3 orësh

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për sulme kibernetike në mbarë botën, të cilat po realizohen me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Në një paralajmërim zyrtar të publikuar më 13 nëntor 2026, FBI ka bërë të ditur se kriminelët kibernetikë dhe hakerët e lidhur me aktorë shtetërorë po përdorin platformën ARTEX për të automatizuar sulmet ndaj bizneseve dhe institucioneve.

Sipas FBI-së, kjo teknologji u mundëson sulmuesve të përshpejtojnë procesin e depërtimit në sistemet kompjuterike, nga identifikimi i objektivit deri te sigurimi i qasjes së privilegjuar, në disa raste për më pak se 3 orë.

Platforma ARTEX është përdorur edhe gjatë sulmit kibernetik ndaj zinxhirit të furnizimit të kompanisë ConnectWise në tetor, duke rrezikuar mjediset digjitale të klientëve të Microsoft 365.

Sipas të dhënave të publikuara nga FBI dhe Microsoft, sulmuesit kanë tentuar autentifikime ndaj më shumë se 2,250 mjediseve organizative të Microsoft 365.

FBI ka bërë të ditur se ARTEX është shfrytëzuar që nga gushti 2026 për sulme ndaj organizatave në sektorët financiarë, qeveritarë, teknologjikë, të mbrojtjes, energjetikë, shëndetësorë dhe të telekomunikacionit.

Agjencia amerikane u ka bërë thirrje organizatave të forcojnë kontrollet e qasjes, të monitorojnë aktivitetet e dyshimta dhe të raportojnë incidentet e mundshme kibernetike.

Paralajmërimi nxjerr në pah rrezikun në rritje nga përdorimi i inteligjencës artificiale për automatizimin e sulmeve, duke shkurtuar ndjeshëm kohën që ekipet e sigurisë kanë për të reaguar.

Postime të Ngjashme