Kuba po përgatitet për një sulm të mundshëm ushtarak nga Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar presidenti kubanez, Miguel Díaz-Canel, pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, të cilat janë interpretuar si kërcënim për ndërhyrje ushtarake.
Megjithatë, presidenti kubanez theksoi se vendi i tij është paqësor dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, raportojnë mediat e huaja.
Deklarata e tij vjen pasi Trump, në një intervistë radiofonike, shprehu dëshirën që të realizojë ndryshimin e pushtetit në Kubë brenda dy viteve të mbetura të mandatit të tij, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake.
“Dua që kjo çështje me Kubën të marrë fund përpara se të largohem”, tha Trump, duke shtuar se “patjetër do ta shqyrtonte” mundësinë e një veprimi ushtarak.
Díaz-Canel kritikoi deklaratat e përsëritura të politikanëve amerikanë lidhur me mundësinë e agresionit ushtarak ndaj Kubës, ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt presidentin Trump.
Ai i bëri këto komente në qytetin Boyeros, në jug të kryeqytetit Havana, para komandantëve të lartë ushtarakë, përfaqësuesve të Partisë Komuniste dhe autoriteteve lokale.
Ndërkohë, që nga ndërhyrja ushtarake amerikane në Venezuelë në janar, gjatë së cilës presidenti Nicolás Maduro u kap dhe u dërgua në SHBA, Kuba ka intensifikuar përgatitjet mbrojtëse.
Në të gjithë vendin janë zhvilluar ushtrime dhe takime të rregullta ushtarake për koordinimin e masave të mbrojtjes. Po ashtu, pjesëtarë të ushtrisë po zhvillojnë trajnime bazike ushtarake për civilët, në kuadër të strategjisë së njohur si “Lufta e të Gjithë Popullit”.

