Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave dhe problemet me furnizimin në institucionet shëndetësore në Kosovë, duke kërkuar që debati politik të përqendrohet te pacientët dhe përgjegjësia institucionale.
Gjatë fjalës së tij sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, Ismaili ka theksuar se ka pacientë që nuk kanë marrë barnat e nevojshme për trajtimin e sëmundjeve të tyre, duke nënvizuar se furnizimi me barna është përgjegjësi që u takon institucioneve dhe jo çështje partiake, raporton KosovaPress.
Ismaili: Furnizimi me barna esenciale është përgjegjësi e shtetit
“Realiteti tregon që kemi pacientë, të cilët nuk kanë marrë ilaçet e domosdoshme dhe mendoj që e meritojnë ata pacientë trajtimin real të gjendjes. Në të kundërtën, unë nuk po them dhe nuk e kam me thënë kurrë që nuk ka asnjë sukses, edhe sot nuk do të flas për atë temë. Kisha pasur qejf që ky Kuvend ta kuptojë drejt çështjen e furnizimit dhe po ashtu ta kuptojë drejt përgjegjësinë individuale në furnizim, të cilat nuk u takojnë pacientëve të një partie, u takojnë pacientëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ismaili.
Ismaili ka kritikuar tendencën që çështja e furnizimit me barna të shndërrohet në përplasje ndërmjet partive politike, duke thënë se në këtë mënyrë lihet anash problemi kryesor.
Deputeti i PDK-së ka thënë se përplasjet politike po e zhvendosin vëmendjen nga dhimbja e pacientëve dhe familjeve të tyre, të cilat vazhdojnë të përballen me vështirësi për sigurimin e barnave.
Ismaili: Po harroni dhimbjen e pacientëve dhe familjeve, ndërsa vazhdoni konfliktin partiak-politik
“Dhe në qoftë se ne e fillojmë diskutimin me ngjyrë partiake, unë kam punuar më shumë se ti, ti e ke punuar më pak se unë, atëherë dini që nuk jeni duke u marrë me thelbin e problemit, që është furnizimi me ilaçe… Po çka jeni duke bërë kështu? E keni krijuar një situatë të re, e cila harron çka ka ndodhur me dhimbjen e pacientëve edhe familjeve, dhe merremi këtu me njëri-tjetrin, në vazhdën e konfliktit partiak-politik, e në fund mbesin pacientët prapë me kërkesën më të madhe për ilaçe”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Duke folur për përgjegjësinë shoqërore dhe institucionale, ai ka përmendur edhe rastet kur qytetarët humbin jetën dhe kur mungesa e barnave ngrihet si shqetësim, duke kërkuar reflektim për shkaqet dhe përgjegjësitë.
Ismaili: Kur një grua humb jetën për shkak të mungesës së barnave, duhet të ndalemi dhe të reflektojmë për përgjegjësinë
“Edhe mendoj që gabimin nuk e ka një person, po është kolektivi jonë, si shoqëri. Në qoftë se një grua e humb jetën, flet për mungesën e ilaçeve që ka pasur, edhe ne nuk ndalemi me reflektuar veç një minutë. Veç një minutë nuk ndalemi me reflektuar me thënë: pse ka ndodhur kjo situatë? Dhe a kemi përgjegjësi dhe a mundemi me bërë më mirë?”, ka theksuar ai.
Sipas Ismailit, një pjesë e kostos së shërbimeve shëndetësore mbulohet nga shteti, ndërsa pjesën tjetër të konsiderueshme e paguajnë vetë qytetarët.
Shërbimet shëndetësore në Kosovë rrezikojnë t’i çojnë familjet drejt varfërisë, qytetarët paguajnë edhe me kredi për barna
“Domethënë, prej kujt vjen kjo kosto? Një pjesë e paguan qeveria, po një pjesë shumë të madhe e paguajnë qytetarët vetë. Dhe kur e paguajnë? E paguajnë nga kursimet familjare, siç është rasti me ilaçin, apo e marrin kredi për me mund me mbuluar ilaçet edhe çështjet e tyre”, ka përfunduar Ismaili.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në replikën e tij ndaj deputetit të PDK-së, Uran Ismaili, ka deklaruar se shëndetësia në Kosovë ka shënuar avancim dhe se ky proces do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ai ka thënë se nuk është në kompetencën e tij që të veprojë si organ i hetuesisë apo i drejtësisë, duke theksuar se tashmë me këtë çështje duhet të merren institucionet përkatëse të ligjit.
Vitia: Unë nuk jam polic
“Shëndetësia ka avancuar, po avancon, do të avancoj, nuk ndalet me ne, do të ecën përpara. Por duhet ta dimë një gjë: është rast unik, një auditim i cili u iniciua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi që i ka gjetur këto të dhëna… Por tash unë nuk mundem, se s’jam as polic, as prokuror e as gjykatës, e besa as fizikisht nuk jam i përgatitur që të shkoj të përballem me ata njerëz pa forcën e ligjit. Tash ligji merret me këtë çështje”, ka thënë ministri Vitia.
Kuvendi i Kosovës në seancën plenare sot më 12 nëntor po mban interpelancën me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që kishte mbetur katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike.
Kërkesa për interpelancë është parashtruar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari. Në mocionin për interpelancë, kërkohet që ministri Vitia të jep përgjigje për mungesat e përsëritura të barnave onkologjike, përgjegjësinë institucionale dhe masat për të siguruar që pacientëve të mos u ndërpritet trajtimi.
Kërkesa i referohet raportimit të 21 tetorit për vdekjen e një pacienteje me kancer të avancuar të gjirit, kishte mbetur rreth katër muaj pa barin Palbociclib, për shkak të mungesës së tij në Klinikën e Onkologjisë dhe pamundësisë financiare për ta blerë vetë.

