Enj. Nën 12th, 2026

Kryeprokurori i shtetit zhvilloi një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Ferizaj

Kryeprokurori i shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me zëvendëskryeprokurorin e shtetit, Bahri Hyseni dhe prokurorin e zyrës së kryeprokurorit të shtetit, Veton Shabani, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelor në Ferizaj, ku është pritur në takim nga kryeprokurori Burim Çerkini dhe prokurorët e kësaj prokurorie.

Në fokus të diskutimeve të përbashkëta profesionale ndërmjet kryeprokurorit të shtetit dhe prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Ferizaj ishin çështjet si: avancimi i cilësisë së punës në këtë prokurori; identifikimi dhe adresimi i sfidave me të cilat përballen prokurorët gjatë punës së tyre të përditshme, si dhe njoftimi nga kryeprokurori i shtetit për funksionin që do të kenë mekanizmi mbikëqyrës i punës së prokurorit të shtetit dhe mekanizmi për mbrojtje të integritetit të prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare.

Temë e rëndësishme në këtë takim ishte edhe forcimi i llogaridhënies institucionale, me ç’rast u theksua rëndësia e caktimit të prokurorëve mbikëqyrës nga radhët e ZKPSH-së për prokuroritë e vendit, përfshirë këtu edhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Kryeprokurori i shtetit ka kërkuar nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Ferizaj që t’i trajtojnë me profesionalizëm dhe kujdes të gjitha rastet e dhunës në familje si dhe të gjitha rastet e tjera penale që bien në kompetencë lëndore dhe territoriale të kësaj prokurorie, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

Postime të Ngjashme