Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një paraqitje për diktatorët botërorë.
Këtë e ka bërë të ditur analistja amerikane Ivana Stradner, e cila ka publikuar në platformën X një fotografi të Wilsonit duke folur në Kongresin amerikan, pranë një paneli me fotografitë e disa liderëve botërorë.
Në panelin me mbishkrimin “Dictators – Rule of Gun” (Diktatorët – sundimi me armë), krahas figurave të tjera politike, shihet edhe fotografia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Kongresmeni Joe Wilson flet për diktatorët. Përfshirë diktatorin e Serbisë, Vuçiqin”, ka shkruar Stradner në postimin e saj.
Fotografia e publikuar tregon Wilsonin në foltoren e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa në panel janë paraqitur edhe liderë të tjerë, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping.
Joe Wilson është kongresmen republikan nga Karolina e Jugut, i njohur për qëndrimet e tij lidhur me sigurinë ndërkombëtare dhe zhvillimet në Ballkan.
Postimi i Stradner ka tërhequr vëmendjen për shkak të përfshirjes së Vuçiqit në një panel kushtuar udhëheqësve të cilësuar si diktatorë.
Megjithatë, nga fotografia e publikuar nuk mund të përcaktohet përmbajtja e plotë e fjalimit të Wilsonit apo deklaratat e sakta që ai ka bërë për presidentin serb.

