Mar. Nën 10th, 2026

Hapja e një qebaptoreje në Gjermani përfundon në kaos

Hapja solemne e një qebaptoreje në qytetin e Dortmundit të Gjermanisë ka përfunduar me përleshje të dhunshme në rrugë, pasi qindra persona u mblodhën për të përfituar nga oferta promocionale, ku një qebap shitej vetëm për një euro.

Sipas raportimit të mediumit zviceran Bluewin, rreth 300 persona, mes tyre edhe shumë të mitur, u paraqitën të dielën pasdite para lokalit të ri, pas reklamimit të ofertës speciale në rrjetet sociale.

Megjithëse pronari kishte angazhuar një ekip sigurie për të menaxhuar turmën, situata doli jashtë kontrollit dhe ai u detyrua të kërkonte ndërhyrjen e policisë.

Por ardhja e forcave të rendit e përshkallëzoi edhe më shumë situatën. Policët dhe ekipet emergjente u sulmuan me gurë, shishe, mjete piroteknike, një trotinet elektrik dhe madje edhe me një karrige. Nga hedhja e gurëve u dëmtua edhe një veturë policore.

Për menaxhimin e situatës u angazhuan rreth 100 policë të njësive speciale për trazira, ndërsa një helikopter monitoronte zhvillimet nga ajri.

Përkundër tensioneve dhe sulmeve ndaj policisë, nuk raportohet për persona të lënduar, transmeton Telegrafi.

Gjatë kontrollit të një personi që kishte refuzuar urdhrin për t’u larguar nga zona, policia gjeti një armë alarmi.

Postime të Ngjashme