Njohës të së drejtës kushtetuese dhe ekspertë të komunikimit publik kanë vlerësuar se presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duhet të jetë më aktive në komunikimin me publikun dhe të ketë më shumë paraqitje publike për çështjet me interes qytetar. Sipas tyre, komunikimi përmes komunikatave dhe rrjeteve sociale nuk është i mjaftueshëm për një institucion që ka përgjegjësi kushtetuese për përfaqësimin e unitetit të popullit dhe promovimin e transparencës.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë për Ekonomia Online se ndër kompetencat dhe përgjegjësitë e presidentes, të përcaktuara me nenin 84 të Kushtetutës, janë komunikimi me publikun, transparenca dhe krijimi i hapësirës për unifikimin e qytetarëve dhe respektimin e sundimit të ligjit.
Ai ka vlerësuar se do të ishte e nevojshme që presidentja të kishte një fillim më aktiv dhe më komunikues, duke përdorur para së gjithash mediat si kanale të komunikimit institucional.
“Njëra nga kompetencat dhe përgjegjësitë që ka presidentja, në këtë rast presidentja e vendit, nga dispozitat e nenit 84 të Kushtetutës, është pikërisht që të komunikojë, të jetë transparente me publikun, të bëjë dhe të krijojë mundësi dhe hapësirë, atmosferë për unifikim dhe unitet të qytetarëve dhe për respektimin dhe funksionimin e të gjitha ligjeve, pra sundimin e ligjit dhe të institucioneve në Republikën e Kosovës. Bazuar në këtë, gjithsesi që mirë do të ishte të ishte një fillim më aktiv, respektivisht më komunikativ dhe më transparent me publikun përmes kanaleve mediatike në radhë të parë, edhe përmes mediave sociale. Nuk është e ndaluar, mirëpo gjithsesi ato janë mjete dytësore për mendimin tim të komunikimit, në relacion me garancinë, peshën dhe natyrën e kanaleve të komunikimit institucional, gjithsesi kompetencat që i ka presidentja e vendit në bazë të Kushtetutës në fuqi”, tha Baraliu.
Baraliu ka komentuar edhe procedurën e kthimit në Kuvend të ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se në këtë rast ka pasur një devijim procedural, pasi, sipas tij, presidentja duhet ta ushtrojë këtë kompetencë mbi bazën e vlerësimit dhe analizës së vetë institucionit.
“Lidhur me ligjin në fjalë, thjesht ka një shkarje procedurale, sepse drejtpërdrejt presidenti apo presidentja e vendit, në këtë rast, ka të drejtë që t’i kthejë ligjet, mirëpo t’i kthejë me iniciativën e saj, analizën dhe sintezën që e bën personeli i saj, ekspertët e saj, pra stafi i saj, i cili nuk e di, mendohet se a është vazhduese, apo është konsoliduese, apo jo konsoliduese ende, edhe drejtpërdrejt në Kuvend dhe jo me kërkesë të dikujt tjetër, një faktori që në fakt është subjekt politik, që është jashtë kuptimit e thjesht strikt të fjalës institucione, ani që edhe partitë politike janë institucione. Megjithatë, nga një subjekt tjetër është diçka që derivon, apo është shkarje nga praktikat dhe autorizimet që ka presidentja e vendit me Kushtetutë në relacion me praktikën dhe përvojën e gjerë tanishme të presidencës. Prandaj është diçka që do të duhej të vlente respektin dhe vëmendjen e opinionit publik, por edhe të vetë presidentes, që të mos përsëriten gjëra të tilla, të cilat shkojnë në krah të shkeljeve, pra të Kushtetutës, respektivisht mosrespektimit të saj. Prandaj, po, është një rast që nuk do të duhej, mendoj unë, të përsëritej në të ardhmen”, tha ai.
Ndërkaq, profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se komunikimi vetëm përmes njoftimeve dhe publikimeve në rrjete sociale nuk e përmbush nevojën për transparencë të Presidencës.
Sipas tij, presidentja duhet të jetë pjesë aktive e debatit publik dhe të shprehë qëndrimet e saj për çështjet me interes të përgjithshëm.
“Në kuptim të transparencës që ka institucioni i Presidencës së Kosovës, nuk është e mjaftueshme që të dërgojnë vetëm komunikata dhe publikime në rrjete sociale. Presidentja duhet të jetë aktive në debatin publik shoqëror. Është ndoshta e kuptueshme në muajin e parë dhe të dytë për dikë që nuk ka qenë më herët në politikë, që të kuptojnë njerëzit se si funksionojnë gjërat. Por zonja presidente ka qenë për një kohë të gjatë edhe në politikë, edhe në akademi, dhe besoj që nuk është se nuk e kupton, por thjesht ka përzgjedhur që të qëndrojë pak më anash zhvillimeve që ndodhin në Kosovë, sa i përket qëndrimit të saj. Mendoj që kjo nuk është rruga e duhur për të siguruar, së pari, zërin e saj në shoqëri, si përfaqësuese e unitetit të popullit, dhe, e dyta, çfarë është shumë me rëndësi, të jetë transparente me publikun”, tha Zeneli.
Ai ka theksuar se presidentja është dashur të japë më shumë sqarime publike edhe për kthimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një çështje me interes të madh publik.
“Unë mendoj që, sidomos te kthimi i ligjit, zonja presidente do të duhej ta arsyetonte, do t’i tregonte arsyet pse një ligj i tillë është kthyer dhe për çfarë arsye ka vendosur kështu të veprojë, sepse kjo është një e drejtë e saj, pa asnjë lloj diskutimi, por megjithatë duhet t’i shpjegonte arsyet, jo vetëm me anë të një njoftimi, duke pasur parasysh që është njëra prej çështjeve kryesore me interes publik në Kosovë. Po ashtu, vrasja e grave në Kosovë dhe problemet e tjera me të cilat shoqëria jonë përballet kërkojnë zërin e saj si përfaqësuese e unitetit të popullit, për të treguar qëndrimin që mban dhe drejtimin që duhet t’ia japë institucioni që ajo drejton”, tha Zeneli.
Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Kosovës më 6 tetor 2026, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila kishte nisur mbrëmjen e 6 tetorit. Ajo u zgjodh në raundin e parë me 81 vota të deputetëve.

