Mbreti belg Filipi ka refuzuar dorëheqjen e kryeministrit Bart De Wever dhe e ka udhëzuar atë të rifillojë menjëherë negociatat për buxhetin.
Njoftimi u bë sot nga Pallati Mbretëror, pasi të hënën kryeministri Bart de Wever ofroi dorëheqje, pasi partnerët e koalicionit nuk arritën marrëveshje mbi masat buxhetore, raporton KosovaPress.
Vendimi për të refuzuar dorëheqjen erdhi pas konsultimeve që Mbreti Filipi zhvilloi me drejtuesit e pesë partive të shumicës qeverisëse.
Monarku u takua gjithashtu me vetë de Wever në Pallatin Mbretëror. Mbreti theksoi nevojën për të gjetur një ekuilibër të drejtë midis ruajtjes së kohezionit social dhe nxitjes së rritjes ekonomike. Ai gjithashtu u bëri thirrje liderëve të partive që t’i japin përparësi kompromisit dhe përgjegjësisë.
Sipas një deklarate nga Pallati, drejtuesit e të pesë partive konfirmuan vendosmërinë e tyre për të arritur një marrëveshje mbi një buxhet të qëndrueshëm për tre vitet e ardhshme. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për t’i përmbyllur negociatat “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kryeministri De Wever pritet t’i raportojë mbretit Filipi mbi ecurinë e negociatave më 16 nëntor.

