Enj. Tet 29th, 2026

Maqedonci: Ligji për industrinë e mbrojtjes synohet të miratohet në janar, modeli bazohet në praktikat e disa vendeve të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ligji për industrinë e mbrojtjes pritet të procedohet së shpejti për miratim në qeveri, ndërsa synimi është që ai të miratohet në kuvend në fillim të vitit të ardhshëm.

Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetit Burim Ramadani, Maqedonci tha se i gjithë procesi i hartimit të konceptdokumentit për industrinë e mbrojtjes është zhvilluar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara për hartimin e dokumenteve strategjike, shkruan IndeksOnline.

Sipas tij, grupi punues ka përfunduar draftin e parë të koncept-dokumentit më 27 gusht 2026, ndërsa pas konsultimeve ndërministrore, përfshirjes së komenteve dhe përkthimit në gjuhët zyrtare, dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik, e cila ka përfunduar më 23 tetor.

“Pas konsultimit publik janë përfshirë komentet e nevojshme dhe dokumenti final është përfunduar. Tash do ta procedojmë në qeveri për miratim dhe më pas do ta sjellim në Kuvend, me qëllim që t’i hapet rruga miratimit të ligjit për industrinë e mbrojtjes, të cilin shpresojmë ta miratojmë në janar të vitit të ardhshëm”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se sistemi i kontrollit të cilësisë në industrinë e mbrojtjes do të mbështetet në standardet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, si edhe në kërkesat për standardizim dhe cilësi teknike.

Ministri theksoi gjithashtu se gjatë hartimit të ligjit janë marrë si modele praktikat e disa shteteve partnere.

“Modelet që kemi marrë si referencë për hartimin e këtij ligji, duke i përshtatur me nevojat dhe specifikat e Kosovës, janë ato të Kroacisë, Estonisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sllovenisë, Turqisë dhe Shqipërisë”, tha Maqedonci.

Postime të Ngjashme