Me rastin e Ditës Botërore të Xhudos, vëmendja rikthehet te rrugëtimi i këtij sporti, i cili përmes disiplinës, respektit dhe sakrificës ka sjellë suksese të shumta për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Përmes një mesazhi nga Federata e Xhudos e Kosovës, për këtë ditë, është vënë në pah rëndësia e vlerave që përfaqëson xhudoja, si dhe rezultatet e arritura nga xhudistët kosovarë në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të publikuara, Kosova ka fituar gjithsej pesë medalje olimpike, dhjetë medalje botërore dhe 30 medalje evropiane. Sukseset përfshijnë edhe 12 medalje në Masters, 49 në Grand Slam dhe 61 në Grand Prix.
“Pas çdo medaljeje qëndrojnë vite pune, sakrifice dhe besimi te njëri-tjetri”, shkroi Federata e Xhudos.
Xhudoja është shndërruar në një nga sportet më të suksesshme të Kosovës, duke e përfaqësuar vendin në garat më të mëdha ndërkombëtare dhe duke kontribuar në promovimin e tij përmes rezultateve sportive.
Mesazhi për Ditën Botërore të Xhudos thekson se respekti, disiplina dhe guximi për t’u ngritur pas çdo rrëzimi mbeten vlerat themelore që e përcjellin këtë sport.
KosovaPress

