Pre. Tet 23rd, 2026

Kurti takon Lord Wood of Anfield, diskuton forcimin e bashkëpunimit Kosovë–Britani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Lord Wood of Anfield, Nënsekretar Parlamentar i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme britanike, në Shën Stefan, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Përmes një postimi, Kurti theksoi se dialogu me Londrën është i ngushtë dhe i vazhdueshëm, duke vlerësuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar në mbështetjen e Kosovës në etapa të ndryshme të zhvillimit të saj.

Ai bëri të ditur se takimi vjen pas dy bisedave të zhvilluara gjatë dy muajve të fundit me të Dërguarën e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Njëra nga bisedat u zhvillua në New York, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa tjetra përmes telefonit nga Prishtina, kur Pierce i përcolli edhe urimet e kryeministrit britanik Burnham për zgjedhjen e presidentes.

Kurti vlerësoi se Mbretëria e Bashkuar ka qenë mike dhe aleate kyçe e Kosovës, nga çlirimi dhe pavarësia deri te ndërtimi i demokracisë, duke mbetur një nga mbështetëset e integrimit euroatlantik të vendit.

Ai theksoi se, me institucionet plotësisht funksionale, Kosova është e përqendruar në reforma dhe zhvillim, ndërsa mundësitë për bashkëpunim me Britaninë e Madhe përfshijnë fusha të ndryshme, nga mbrojtja deri te organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Postime të Ngjashme